RMV, konstituohet këshilli kombëtar për hetime financiare dhe konfiksim të pasurisë

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Në Maqedoninë e Veriut është konstituuar Këshilli Kombëtar për Hetime Financiare dhe Konfiskim të Pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme. Gjatë seancës konstituive u theksua se ndjekja penale nuk konsiderohet e plotë pa konfiskimin dhe kthimin e pasurisë ilegale, si mekanizëm për kompensimin e dëmit ndaj shtetit dhe qytetarëve.

“Ky këshill përfaqëson mekanizmin më të lartë shtetëror për mbikëqyrje politike dhe koordinim institucional në fushën e hetimeve financiare dhe konfiskimit të pasurisë së paligjshme. Seanca e sotme shënon kalimin nga ndërtimi institucional në ushtrim real të përgjegjësisë politike, me një qëllim të qartë: të sigurojmë një qasje të koordinuar dhe efikase shtetërore në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe pasurimit të paligjshëm”, tha Arben Fetai, zëvendëskryeministër i Maqedonisë së Veriut,

Sipas të dhënave zyrtare të publikuara në seancën fillestare, në procedurë janë mbi 50 raste të korrupsionit të nivelit të lartë.

“Qeveria jonë e nisi luftën kundër krimit dhe korrupsionit jo me deklarata, por me vepra. Aktualisht janë në procedurë mbi 50 raste të korrupsionit të nivelit të lartë, raste që për vite me radhë janë fshehur, zvarritur ose injoruar. Por kjo nuk është fundi, është fillimi. Nuk ka drejtësi selektive, nuk ka të mbrojtur dhe nuk ka të paprekshëm. Lufta nuk përfundon me procedurë penale, por me kthimin e pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme. E vjedhura duhet t’i kthehet popullit”, u shpreh Hristijan Mickoski, kryeministër i Maqedonisë së Veriut.

Nga institucionet u bë e ditur se hetimet financiare do të zhvillohen edhe përmes bashkëpunimit me partnerë ndërkombëtarë, ndërsa pasuria e konfiskuar do të orientohet për projekte sociale dhe interesa publike. Kësaj iniciative i ka dhënë mbështetje edhe Bashkimi Evropian, i cili ka paralajmëruar ndihmë financiare dhe ekspertizë.

Ministria e Financave e Maqedonisë së Veriut njoftoi se gjatë vitit 2025 Drejtoria e Policisë Financiare ka nisur 58 hetime financiare, që përfshijnë rreth 400 persona fizikë dhe 95 subjekte juridike. Deri tani janë përmbyllur 33 hetime, ndërsa të tjerat janë në proces. Në kuadër të Ligjit për konfiskimin e pasurisë në procedurë civile, janë siguruar masa gjyqësore për pasuri në vlerë prej mbi 615 mijë eurosh.

The post RMV, konstituohet këshilli kombëtar për hetime financiare dhe konfiksim të pasurisë appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: