Engjëlli me fytyrën e Melonit në afreskun e kishës, nisin hetimet në Itali

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Zyrtarët e kishës dhe qeverisë në Itali kanë nisur një hetim mbi pretendimet se fytyra e kryeministres Giorgia Meloni është pikturuar në një engjëll gjatë restaurimit të një afresku në Romë.

Ministria e kulturës e Italisë ka dërguar oficerë për të inspektuar veprat e artit në një faltore të Bazilikës së Shën Lorencit në Lucina, ndërsa Dioqeza e Romës shprehu “zhgënjimin” e saj dhe tha se do të përcaktojë se kush kishte qenë përgjegjës, shkruan BBC.

Artisti, Bruno Valentinetti, tha se thjesht kishte restauruar afreskun që kishte pikturuar në vitin 2000 dhe mohoi se e kishte modeluar engjëllin sipas imazhit tw kryeministres.

Ngjashmëria e dukshme u raportua për herë të parë të shtunën nga gazeta italiane La Repubblica, e cila publikoi fotografi para dhe pas afreskut dhe pretendoi se engjëlli që mbante një hartë të Italisë më parë dukej si një “kerubin i zakonshëm”.

Prifti i famullisë tha se pikturat thjesht ishin ndrequr pas dëmtimeve të fundit nga uji – por tha se ai nuk e “kuptonte gjithë atë bujë” në asnjë rast.

“Piktorët përdornin lloj-lloj gjërash në afreske”, tha Imzot Daniele Micheletti.

Valentinetti, 83 vjeç, i mohoi pretendimet. “Fytyra e restauruar është ajo që është pikturuar 25 vjet më parë”, tha ai, në komentet e raportuara nga agjencia e lajmeve AGI.

“Kush thotë se i ngjan Melonit?”

Partitë opozitare nxituan të kërkonin një hetim. Irene Manzi e Partisë Demokratike e quajti situatën “të papranueshme”, ndërsa Lëvizja Pesë Yje tha se arti nuk duhet të bëhet “një mjet për propagandë”, pavarësisht nëse e përshkruante apo jo Melonin.

Ministri i Kulturës, Alessandro Giuli, urdhëroi “zyrtarët teknikë” të inspektojnë pikturën “për të përcaktuar natyrën e ndërhyrjes” dhe për të përcaktuar hapat e mëtejshëm.

Meloni u përgjigj në një postim në Instagram duke thënë se “definitivisht nuk ishte si një engjëll”, të shoqëruar nga një emoji qesharake.

Ndërkohë, Dioqeza e Romës tha se ishte në dijeni të restaurimit, por se i ishte thënë se asgjë nuk do të shtohej ose ndryshohej.

“Modifikimi i fytyrës së kerubinit ishte iniciativë e dekoruesit, nuk iu komunikua autoriteteve kompetente”, tha ajo në një deklaratë të ndarë nga agjencia e lajmeve Ansa.

Më vonë u tha se Kardinali Baldo Reina – Vikari i Papës për Dioqezën e Romës – do të hetonte menjëherë “për të përcaktuar përgjegjësitë e mundshme të atyre që janë të përfshirë”.

Aty thuhej se kardinali “distancohet nga deklaratat e Imzot Michelettit dhe shpreh zhgënjimin e tij për atë që ndodhi” dhe deklaroi “angazhimin e tij për mbrojtjen e trashëgimisë së tij artistike dhe shpirtërore” kundër keqpërdorimit ose shfrytëzimit.

The post Engjëlli me fytyrën e Melonit në afreskun e kishës, nisin hetimet në Itali appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: