LSM propozon ulje 80% të pagave të funksionarëve, baza të jetë paga minimale

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë së Veriut ka dorëzuar në Kuvend një iniciativë me të cilën kërkon uljen e pagave të funksionarëve publik për 80 për qind, duke propozuar që baza për llogaritjen e pagave të tyre të jetë e njëjtë me atë të të gjithë punëtorëve të tjerë në vend. Sipas iniciativës, neni 11 i Ligjit për pagën dhe kompensimet e deputetëve dhe të personave të tjerë të zgjedhur dhe të emëruar duhet të ndryshohet në mënyrë që paga minimale në shtet të shërbejë si bazë për llogaritjen e pagave të deputetëve dhe funksionarëve.

“Në vend se baza për llogaritjen e pagës së funksionarëve të jetë siç ka qenë deri më tani, bazuar në pagën mesatare, të jetë paga minimale. Kërkojmë që koeficienti të ulet për 40 përqind, duke ulur pagat e funksionarëve për 80 përqind. Kjo pasi ata në mënyrë të pahijshme e ruajnë në sirtar iniciatën e LSM-së për rritje të pagave të punëtorëve”, tha Sllobodan Trendafillov – Kryetar i LSM-së.

I pari i sindikatës që përfaqëson të punësuarit në administratën shtetërore dhe gjyqësore kujton se nëse buxheti mund të mbulojë pagat e majme të funksionarëve, mund të mbulojë edhe pagat modeste të punëtorëve.

“Nëse ka për njërën palë, mund të ketë edhe për palën tjetër. Nëse buxheti arrin të mbulojë pagat e 1800 funksionarëve që kanë paga mbi 2000 euro, mund të mbulojë edhe pagat e punëtorëve që kanë paga prej 400 eurosh”, tha Tërpe Deanoski – Sindikata e Administratës Shtetërore dhe Gjyqësore.

Kryeministri Hristijan Mickoski ka vazhduar me akuzat për politizim të sindikatës dhe afërsi të kryetarit të saj me opozitën maqedonase, ndërsa për administratën publike ka ofruar një zgjidhje që nuk është as afër kërkesave të sindikatës me rritje për 8 përqind të pagave.

“Pjesa më e madhe e sindikatës janë pajtuar me këtë propozim të Qeverisë. Ka aty disa të burgosur të opozitës që kanë heshtur për shtatë vite, ndërsa tani përnjëherë fituan ambicie që ta shkatërrojnë shtetin. Dhe mendojnë se në këtë mënyrë po i bëjnë dëm Qeverisë, por në fakt po ju bëjnë dëm punëtorëve”, u shpreh Hristijan Mickoski – Kryeministër i RMV-së.

Opozita maqedonase thonë se mjafton që pushteti të heqë dorë nga, siç i quajnë ata, tenderët kriminalë për të siguruar mjete për një pagë minimale prej 600 eurosh. Për këtë qëllim, LSDM ka dorëzuar tashmë një propozim-ligj për rritjen e pagës minimale në 600 euro.

Ndërkohë, derisa palët kërkojnë zgjidhje për rritjen e pagave, sindikatat paralajmërojnë se nga e marta do të nisin me bllokada dhe protesta para institucioneve kryesore. Ata theksojnë se greva e përgjithshme aktualisht mbetet opsion i fundit, por nuk përjashtohet nëse nuk arrihet marrëveshje e shpejtë në kuadër të dialogut social.

The post LSM propozon ulje 80% të pagave të funksionarëve, baza të jetë paga minimale appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: