Dirk Schuebel nis detyrën si Ambasador i BE-së në Kosovë

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Diplomati gjerman Dirk Schuebel ka nisur detyrën si Shef i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Përfaqësues Special i Bashkimit Evropian (EUSR).

“Mezi pres të punoj me institucionet e Kosovës, aktorët politikë, shoqërinë civile, mediat dhe të gjitha komunitetet, për të ndihmuar një Kosovë multietnike që të përparojë në rrugën e saj drejt integrimit në BE, në baza të barabarta me të gjithë partnerët e tjerë të Ballkanit Perëndimor. Do ta mbështes të ardhmen evropiane të Kosovës. Puna drejt realizimit të saj kërkon një përpjekje të përbashkët të gjithë shoqërisë dhe një përkushtim të përbashkët për ta bërë integrimin në BE prioritet, përtej ndarjeve politike. Gjithashtu, do ta mbështes angazhimin konstruktiv të Kosovës në Dialogun Beograd-Prishtinë të lehtësuar nga BE-ja dhe përparimin drejt normalizimit të marrëdhënieve, në bashkëpunim të ngushtë me Përfaqësuesin Special të BE-së për Dialogun, Peter Sorensen.” tha Schuebel.

Schuebel bëri thirrje për formimin e shpejtë të institucioneve, gjë që do t’i mundësonte Bashkimit Evropian të angazhohej plotësisht me Kosovën dhe të ofronte asistencën që ka në dispozicion për Kosovën.

Një zyrtar i lartë i BE-së dhe shtetas gjerman me përvojë të gjatë diplomatike dhe një karrierë të fokusuar kryesisht në politikën e jashtme të BE-së, Schuebel ka shërbyer më parë në dy mandate si ambasador i BE-së, si Ambasador i BE-së dhe Shef i Delegacionit të BE-së në Bjellorusi nga viti 2019 deri më 2022 dhe në Moldavi nga viti 2009 deri më 2013. Së fundmi, ai ka shërbyer si Shef i Divizionit për Rusinë në Shërbimin Evropian për Veprim të Jashtëm.

The post Dirk Schuebel nis detyrën si Ambasador i BE-së në Kosovë appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: