Benzema e nis mbarë, shënon 3 gola në debutimin me ekipin e ri

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Karim Benzema e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme aventurën me Al Hilal. Francezi shënoi 3 gola në ndeshjen e tij të parë, ndërsa skuadra fitoi 6-0.

Një debutim ëndrrash mund të konsiderohet ai i Karim Benzema me Al Hilal, që e nis aventurën e re në mënyrën më të mirë të mundshme. Francezi luajti si titullar përballë Al Okhdood dhe regjistroi një 3 golësh. 38-vjecari dha shkëndija që në fraksionin e parë, aty ku në minutën e 31 zhbllokoi shifrat, pas një pasimi të bukur nga Al Daësari. Në pjesën e dytë miqtë dhuruan spektakël, duke shënuar dhe 5 herë të tjera, ku dy prej golave mbajnë firmën e Karim Benzema.

Në minutën e 60 ai shënoi golin e dytë dhe 4 minuta më pas kompletoi një hat trick. Si për të mos mjaftuar, Benzema asistoi për Malcom në golin e katërt të Al Hilal, ndërsa në minutën e 72 u largua nga fusha, pasi kishte bërë një debutim mbresëlënës. Më tej ishte Al Dawsari me dopietë që vulosi fitoren e thellë 0-6 të Al Hilal që kryeson kampionatin me 50 pikë, 4 më tepër se Al Nassr i CR7, por këta të fundit kanë një ndeshje më pak.

Karim Benzema vendosi të largohet nga Al Ittihad pas mosmarrëveshjeve me drejtuesit e klubit ku qëndroi për 3 sezone.

The post Benzema e nis mbarë, shënon 3 gola në debutimin me ekipin e ri appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: