Juventusi i ka dhënë lamtumirën kupës së Italisë pasi u mposht nga Atalanta në çerekfinale në shifrat 3-0.
Luajti më mirë se kundërshtari, shpërdoroi raste dhe në fund u eliminua, Juventus ishte i pafat në çerekfinalen e kupës së Italisë, ku u mposht nga Atalanta. Dueli në fjalë përfundoi në shifrat 3-0 dhe bën që bardhezinjtë të heqin dorë nga një trofe i rëndësishëm, të cilin në të kaluarën e kanë fituar plot 15 herë.
Në nisje futbollistët e Spalletit krijuan disa mundësi shënimi, por nuk i shfrytëzuan. Pjesa e parë u mbyll me avantazhin e bergamaskëve, të cilët shndërruan në gol një 11 metërsh. Scamacca ekzekutoi saktë, ndërsa episodi shkaktoi polemika pas ndeshjes.
Në fraksionin e dytë Juventus u hodh përpara në sulm, por nuk mundi të realizojë dhe pas një vendosje jo të mirë në zonë, Atalanta dyfishoi me Sulemana. 5 minuta para fundit ishte radha e Pasalic që ndali topin në rrjetë dhe hipotekoi fitoren 3-0 të Atalantas që avancuan në gjysmëfinale të kupës, aty ku pret fituesin e duelit Bolonja-Lazio. Në ndeshjen Atalanta-Juventus luajtën dhe dy futbollistë shqiptarë, Gjimshiti si titullar te vendësit dhe Zhegrova që hyri si zëvendësues për zonjën.
The post Atalanta i jep “shuplakë” Juventusit, e mposhti 3-0 dhe e eliminoi nga Kupa appeared first on Euronews Albania.
