Kryeministri britanik, Sir Keir Starmer, pritet të kryesojë sot një seancë të kabinetit, pasi mori një “litar shpëtimi” nga deputetët e Partisë Laburiste gjatë një takimi vendimtar, ku deklaroi prerazi: “Nuk jam i përgatitur të largohem”.
Starmer e nisi javën duke u përballur me krizën më të madhe të mandatit të tij si kryeministër, pas pasojave të emërimit të Lord Mandelson si ambasador i Mbretërisë së Bashkuar në SHBA, ndërsa kanë dalë në dritë zbulime të reja lidhur me marrëdhënien e tij me pedofilin Jeffrey Epstein. Që nga java e kaluar, janë shtuar dyshimet mbi qëndrimin e Starmer në post dhe kohëzgjatjen e mandatit të tij.
Megjithatë, duke folur të hënën në mbrëmje në një takim të Partisë Parlamentare Laburiste, vetëm disa orë pasi udhëheqësi i Laburistëve në Skoci kërkoi dorëheqjen e tij, Sir Keir u shfaq i vendosur për të qëndruar.
Sipas korrespondentit kryesor politik të Sky News, Jon Craig, Starmer, i cili mbërriti me një “fytyrë si bubullimë”, mori një “pritje shumë të mirë” nga deputetët e tij, ndërsa u zotua të përballet me kritikët dhe partitë opozitare.
“Kam pasur kritikues në çdo hap të rrugës dhe i kam edhe tani – kritikues që nuk duan aspak një qeveri laburiste dhe sigurisht që asnjë të ketë sukses”, tha Starmer.
“Pasi kam luftuar kaq shumë për mundësinë për të ndryshuar vendin tonë, nuk jam i përgatitur të heq dorë nga mandati im dhe përgjegjësia ime ndaj vendit tim, ose të na zhyt në kaos siç kanë bërë të tjerët”, shtoi ai.
Kryeministri u tha deputetëve se kishte “fituar çdo betejë në të cilën kam qenë ndonjëherë”, duke përmendur reformimin e Shërbimit të Prokurorisë së Kurorës dhe transformimin e Partisë Laburiste për të fituar zgjedhjet.
“Ne fituam me një shumicë dërrmuese. Çdo betejë në të cilën kam marrë pjesë, e kam fituar”, tha Starmer.
Më herët gjatë së hënës, udhëheqësi i Partisë Laburiste Skoceze, Anas Sarwar, u bë figura më e lartë e partisë që kërkoi largimin e Starmer, duke deklaruar se “dështimet në zemër të Downing Street” po ndikonin në Skoci.
“Kjo është arsyeja pse shpërqendrimi duhet të marrë fund. Dhe lidershipi në Downing Street duhet të ndryshojë”, tha Sarwar.
Ndërkohë, kabineti i Sir Keir u rreshtua në mbështetje të tij përpara takimit të rregullt javor. Zëvendëskryeministri David Lammy deklaroi se Partia Laburiste “nuk duhet të lejojë që asgjë të na shpërqendrojë nga misioni ynë për të ndryshuar Britaninë”.
Kancelarja Rachel Reeves tha se “me Keir si kryeministër, ne po e ndryshojmë vendin”, ndërsa Sekretari i Shëndetësisë, Wes Streeting, i tha Sky News se qeveria ishte një “ekip”. Edhe ish-zëvendëskryeministrja Angela Rayner shprehu publikisht mbështetjen e saj.
Kriza u thellua më tej të hënën, kur drejtori i komunikimit i Downing Street, Tim Allan, dha dorëheqjen, duke thënë se dëshironte “të lejonte ndërtimin e një ekipi të ri të Numrit 10”. Dorëheqja e tij pasoi atë të shefit të stafit të kryeministrit, Morgan McSweeney, i cili u largua të dielën duke marrë “përgjegjësi të plotë” për këshillimin e Starmer lidhur me emërimin e Lord Mandelson.
Sir Keir u tha deputetëve laburistë se merrte përgjegjësi të plotë për vendimin “e gabuar” për emërimin e Mandelson, ndërsa vlerësoi publikisht McSweeney për kontributin e tij.
“Përkushtimi, angazhimi dhe besnikëria e tij ndaj partisë dhe vendit tonë ishin të pakrahasueshme. Dhe dua ta falënderoj për shërbimin e tij”, tha kryeministri.
The post Starmer mes krizës: Nuk do të heq dorë nga mandati im, kam fituar çdo betejë appeared first on Euronews Albania.
