Kush është Lanika Rexhepi? Kosovarja që shkroi histori për Shqipërinë në Evropianin e Karatesë

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Pak ditë pas përfundimit të Kampionatit Evropian të Karatesë, emri i Lanika Rexhepit vazhdon të përmendet me krenari në mbarë hapësirën shqiptare. Karateistja kadete nga Prishtina u shpall nënkampione e Evropës në kategorinë Cadet Female Kumite +61 kg, duke fituar medaljen e argjendtë dhe duke hyrë në histori si vajza e parë që siguron një medalje evropiane për Federatën Shqiptare të Karatesë.

Por kush është Lanika Rexhepi? E rritur në Kosovë dhe e formuar si sportiste me disiplinë të lartë e përkushtim maksimal, ajo përfaqësoi Shqipërinë në arenën evropiane me pjekuri që tejkalon moshën e saj. Rrugëtimi i saj drejt finales ishte mbresëlënës: ajo dominoi Malin e Zi me rezultat 8–0, mposhti Gjeorgjinë po ashtu 8–0, kaloi Francën 6–1 dhe Italinë 3–0, duke siguruar finalen e madhe pas katër fitoreve bindëse. Në duel për medaljen e artë, ajo u ndal nga Portugalia me rezultat minimal 0–1, duke e mbyllur garën me medaljen e argjendtë.

Suksesi i saj nuk është vetëm personal. Ai përfaqëson një moment historik për sportin shqiptar, pasi kjo është medalja e parë evropiane për vajzat në historinë e këtij federate. Lanika Rexhepi, edhe pse nga Kosova, mbrojti me dinjitet flamurin kuqezi, duke dëshmuar se talenti dhe përkushtimi shqiptar nuk njohin kufij.

The post Kush është Lanika Rexhepi? Kosovarja që shkroi histori për Shqipërinë në Evropianin e Karatesë appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: