“Kushdo që e viziton, udhëton brenda dhe jashtë qenies njerëzore”, Oltsen Gripshi prezanton ekspozitën ‘Lakuriq’

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

“Lakuriq” është ekspozita e parë për vitin 2026 e artistit Oltsen Gripshi, e hapur në Galerinë e Artit Bashkëkohor të Tiranës (GOCAT). Nën kurimin e Massimo Scaringella, kjo ekspozitë është një udhëtim intim, ku çdo vepër dhe hapësirë krijon një dialog midis trupit dhe mendjes, duke ftuar artistin dhe publikun të përjetojnë së bashku eksperiencën e artit.

“Në këtë ekspozitë, kushdo që vjen dhe e viziton, udhëton brenda dhe jashtë qenies njerëzore, duke e parë atë nga këndvështrime të ndryshme: antropologjike, politike, sociale dhe kulturore. Ekspozita nis me veprën që është pikërisht një test – një test shtatzënie – dhe kalojmë te një tjetër vepër, një copë mishi, e paraqitur si diçka e gjallë, një performancë që synon të kuptojë dhe të përcjellë pikërisht mesazhin se qenia njerëzore është lehtësisht e manipulueshme. Këtu varen njëqind këmisha nate femërore, të tejdukshme, të lehta dhe të brishta, pikërisht për të theksuar brishtësinë e gruas përballë mashkullit”, thotë Oltsen Gripshi.

Massimo Scaringella, kuratori i ekspozitës, e prezanton “Lakuriq” si një eksperiencë ku veprat, hapësira dhe koncepti krijojnë një dialog, ku vizitorët e shohin atë nga këndvështrime të ndryshme.

“Të gjitha ekspozitat lindin nga një dialog mes veprave, hapësirës dhe konceptit të ekspozitës. Kështu, në një koncept ku titulli është “Lakuriq”, zakonisht mendohet për një figurë njerëzore të plotë, të zhveshur, mashkull apo femër qoftë. Por nuk mendohet se “lakuriq” mund të nënkuptojë edhe një pjesë të trupit”, thotë Massimo Scaringella.

Me ekspozitën “Lakuriq” nga Oltsen Gripshi, Galeria e Artit Bashkëkohor Tiranë rikonfirmon rolin e saj si një platformë kryesore për shprehjen e artit bashkëkohor në Shqipëri. Me mbështetjen e Fondacionit Mane, galeria ofron përvoja kulturore të nivelit të lartë, duke promovuar artin bashkëkohor shqiptar dhe ndërkombëtar. Ekspozita do të qëndrojë e hapur pa pagesë për vizitorët deri më datë 10 mars.

The post “Kushdo që e viziton, udhëton brenda dhe jashtë qenies njerëzore”, Oltsen Gripshi prezanton ekspozitën ‘Lakuriq’ appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: