Ish-kryeministri i Norvegjisë akuzohet për korrupsion të rëndë për lidhje të dyshuara me Epsteinin

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Ish-kryeministri norvegjez Torbjorn Jagland është akuzuar për “korrupsion të rëndë” pas një hetimi policor mbi lidhjet e dyshuara me Jeffrey Epstein, njoftoi firma ligjore “Advokatfirmaet Elden”.

Zyra konfirmoi se Jagland ishte akuzuar zyrtarisht dhe deklaroi se ai “mohon të gjitha akuzat”, raportoi CNN. Agjencia norvegjeze për luftimin e krimit ekonomik dhe mjedisor “Okokrim” njoftoi se do të merret në pyetje si pjesë e një hetimi në vazhdim.

Okokrim raportoi javën e kaluar se Jagland po hetohet nën dyshimin për korrupsion të rëndë bazuar në informacionin nga grupi i fundit i dokumenteve të Epstein të publikuara nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së. Hetuesit po hetojnë nëse “janë marrë dhurata, udhëtime dhe kredi në lidhje me pozicionin e tij”. 

Jagland, i cili shërbeu si kryeministër i Norvegjisë nga viti 1996 deri në vitin 1997, si dhe ministër i jashtëm dhe sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Evropës, ka mohuar çdo shkelje.

Avokati i tij, Anders Brosvit, tha se kontrollet në shtëpinë dhe mjediset e tij rekreative ishin “një pjesë normale e një hetimi të këtij lloji” dhe se Jaglandit iu dha statusi zyrtar i të dyshuarit si rezultat i kontrollit.

Ndërkohë, dosjet e sapo publikuara të Epstein tregojnë gjithashtu për korrespondencë të gjerë midis Princeshës së Kurorës së Norvegjisë, Mette-Marit, dhe Epstein, për të cilën princesha shprehu keqardhje.

Shtëpia mbretërore norvegjeze tha se “dënon fuqimisht abuzimin dhe aktet kriminale të Epstein” dhe shprehu keqardhje “që nuk e kuptoi më parë se çfarë lloj personi ishte ai”.

The post Ish-kryeministri i Norvegjisë akuzohet për korrupsion të rëndë për lidhje të dyshuara me Epsteinin appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: