Një elefant mermeri i punuar nga skulptori i famshëm italian Gian Lorenzo Bernini u dëmtua nga persona të paidentifikuar. Mësohet se dhëmbët e elefantit u gjetën të thyer.
Dëmi u zbulua të hënën në mbrëmje dhe policia tha se do të shqyrtojë pamjet filmike nga Piazza della Minerva për të përcaktuar nëse dëmi ishte rezultat i vandalizmit apo i shkaktuar nga javë të tëra reshjesh jashtëzakonisht të dendura.
Ministri i Kulturës i Italisë, Alessandro Giuli, theksoi se besonte që veprimi ishte i qëllimshëm, duke thënë se statuja e shekullit të 17-të, e cila mbështet një obelisk të lashtë egjiptian, ra viktimë e një akti absurd barbar.
“Është e papranueshme që edhe një herë trashëgimia artistike dhe kulturore e kombit të pësojë dëme kaq serioze”, tha ai në një deklaratë.
Kjo nuk është hera e parë që skulptura, e njohur si Elefantino (elefanti i vogël), është dëmtuar. Në nëntor 2016, maja e të njëjtit dhëmb u gjet e thyer në mënyrë të ngjashme.
Skulptura, e krijuar në vitin 1667 nga Ercole Ferrata bazuar në një dizajn të Berninit, ndodhet në një distancë të shkurtër nga Panteoni, një nga atraksionet turistike më të njohura të Romës.
The post Dëmtohet skulptura historike e “Elefantit të Vogël” në Romë, ministri Giuli: Akt absurd barbar appeared first on Euronews Albania.
