Përfundon marrja në pyetje e Artan Grubit, pamjet kur ish-zv/kryeministri del me pranga

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Ka përfunduar marrja në pyetje e ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi.

Pas gjashtë orësh në prokurori, ku u mor në pyetje dhe u ballafaqua me akuzën, ai është shoqëruar para gjykatësit, i cili pritet të vendosë për masën e sigurisë ndaj tij.

Më pak se një muaj para se të jepte dorëheqje nga pozita e prokurorit të shtetit, Lupçe Kocevski ka thënë se hetimet për rastin e Lotarisë Shtetërore tashmë kanë përfunduar dhe pritet vetëm ekstradimi. Ikja e tij ka qenë pengesë për nisje të gjykimit.

Për dallim prej Grubit, i cili gjatë periudhës së arratisë kishte dyshime se po fshihej në Kosovë ose Shqipëri, avokati i Bajramit ka thënë më parë se klienti i tij nuk ka ikur, por ka jetuar jashtë Maqedonisë së Veriut disa muaj para se t’i bastisej shtëpia.

Prokuroria pati kërkuar ndalimin e Grubit dhe Bajramit, me arsyetim se ekziston dyshim i bazuar se veprimet e të dyve kanë pasur qëllim përfitimin e paligjshëm material.

Më 17 dhjetor të vitit të kaluar, Prokuroria Penale pati kërkuar paraburgim prej 30 ditësh për Grubin dhe Bajramin dhe po atë ditë autoritetet maqedonase patën lëshuar urdhërarrestim ndërkombëtar për të dyja figurat.

Artan Grubi pati thënë përmes një postimi në Facebook se nuk po arratiset mirëpo që ishte në një vizitë private në Kosovë dhe që do të kthehej në shtëpi. Ditën pas asaj deklarate, policia ka kërkuar në dy lokacione mirëpo nuk e ka gjetur atë.

Kryeministri maqedonas, Hristjan Mickoski pati thënë atëbotë se Grubi “bashkë me një person tjetër, biznesmen, është larguar nga Maqedonia [e Veriut] me makinë me targa diplomatike dhe është nisur drejt vendit fqinj Kosovës” dhe që Bajrami, sipas tij, nuk ka qenë brenda territorit maqedonas për kohë të gjatë.

Mes tjerash, Grubi është futur në listën e zezë të Departamentit amerikan të Shtetit më 9 dhjetor, për shkak të, siç është thënë, përfshirjes në korrupsion, për ndërhyrje politike dhe përpjekje për të mashtruar gjyqësorin.

Arsyetimi për përfshirje në këtë listë ishte sepse ata kanë marrë ryshfet për të ndikuar në procedurat gjyqësore që lidhen me dënimin penal të ish-drejtorit të Administratës së Sigurisë dhe Kundërzbulimit (DSK), Sasho Mijalkov, në rastin “Target” të hapur nga Prokuroria Speciale Publike (PSP), i cili kishte të bënte me përgjimet masive.

The post Përfundon marrja në pyetje e Artan Grubit, pamjet kur ish-zv/kryeministri del me pranga appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: