Kongresmeni amerikan Joe Wilson ka reaguar lidhur me pretendimet për përdorimin e teknologjive të mbikëqyrjes ndaj qytetarëve serbë, duke e cilësuar një praktikë të tillë si të papranueshme.
Në një postim në rrjetin social X, Wilson akuzon pushtetin në Serbi se ka përdorur spyware invaziv për të shënjestruar qytetarët serbë.
“Është e papranueshme që regjimi i Vuçiçit ka përdorur spyware invaziv për të shënjestruar qytetarët serbë. Kjo teknologji totalitare po armatoset kundër një populli të lirë që kërkon shtetin e së drejtës”, shkruan Wilson.
Reagimi i kongresmenit amerikan lidhet me një raportim të Reuters, sipas të cilit të paktën 14 persona nga shoqëria civile në Serbi, mes tyre aktivistë studentorë, deputetë të opozitës dhe një këshilltar vendor, janë vënë në shënjestër me programe të avancuara spiunazhi përpara zgjedhjeve vendore të marsit.
Sipas Fondacionit SHARE, organizatë për të drejtat digjitale, rastet u zbuluan në gusht, pasi Apple u dërgoi përdoruesve në 110 vende njoftime se mund të kishin qenë viktima të programeve mercenare të përgjimit. Organizata e ka cilësuar këtë si valën më të madhe të dokumentuar deri më tani të infektimit me spyware në Serbi.
Megjithatë, Reuters thekson se nuk ka qenë në gjendje të përcaktojë se kush ishte përgjegjës për infektimet e pretenduara. NSO Group ka deklaruar se produktet e saj u shiten vetëm qeverive, ndërsa qeveria serbe dhe kompania nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment.
It is unacceptable that the Vucic regime has used invasive surveillance spyware to target Serbian citizens. This totalitarian technology is being weaponized against a free people demanding the rule of law.https://t.co/Ah7wL0ETMx
— Joe Wilson (@RepJoeWilson) September 2, 2026
The post Kongresmeni amerikan Joe Wilson: E papranueshme që regjimi i Vuçiçit ka përdorur spyware ndaj qytetarëve serbë appeared first on Euronews Albania.
