Hakimi dërgohet në gjyq për përdhunim, lojtari i PSG-së mohon akuzat

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Achraf Hakimi është dërguar në gjyq për akuzën e përdhunimit, sipas avokatit të mbrojtësit të krahut të Paris Saint-Germain dhe ish-lojtarit të Inter.

Futbollisti i lindur në vitin 1998 akuzohet nga prokuroria e Nanterre për përdhunimin e një vajze në vitin 2023. Hakimi i ka mohuar vazhdimisht akuzat, duke pretenduar se bëhet fjalë për një përpjekje shantazhi me qëllim përfitimi financiar.

“Sot, një akuzë për përdhunim është e mjaftueshme për të justifikuar një gjyq, edhe nëse e mohoj dhe gjithçka vërteton se është e rreme”, shkroi lojtari në profilin e tij në rrjetin social X. “E pres me qetësi këtë gjyq, i cili do të lejojë që e vërteta të dalë në dritë publikisht.”

Sipas raportimeve të medias franceze L’Equipe, hetimi gjyqësor ka zgjatur tre vjet dhe ka qenë i kontestuar. Një gjyq ishte kërkuar nga prokuroria e Nanterre më 1 gusht 2025.

Çështja lidhet me një kallëzim të bërë më 25 shkurt 2023 në komisariatin e Nogent-sur-Marne nga një grua e re, e cila deklaroi se një ditë më parë, rreth orës 01:15, kishte shkuar në banesën e futbollistit dhe ishte sulmuar seksualisht.

Hakimi ka pranuar vetëm përqafime dhe puthje të ndërsjella me konsensus, duke mohuar çdo marrëdhënie seksuale. Në argumentet përfundimtare, prokurori ka theksuar se rrëfimi i gruas është “në përputhje, në zhvillimin dhe kohëzgjatjen e tij, me mesazhet e dërguara prej saj te një shoqe”.

Sipas hetuesve, vajza kishte komunikuar me një prej shoqeve të saj më të afërta pothuajse në kohë reale për atë që pretendon se kishte ndodhur.

The post Hakimi dërgohet në gjyq për përdhunim, lojtari i PSG-së mohon akuzat appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: