Dy djem të mitur, të moshës tetë dhe 10 vjeç, janë gjetur të vdekur brenda një makine të mbyllur në Qipro, pasi dyshohet se ishin lënë të flinin në automjet gjatë temperaturave të larta.
Sipas mediave lokale, fëmijët, me origjinë bullgare dhe pjesëtarë të së njëjtës familje, u gjetën në një makinë të parkuar brenda bazës ushtarake britanike në Dhekelia.
Në vendin e ngjarjes kanë ndërhyrë policia e bazës dhe ekipet e emergjencës, por fëmijët u gjendën të vdekur.
Babai dhe njerka e tyre janë arrestuar nën dyshimin për neglizhencë. Zëdhënës të bazave britanike kanë bërë të ditur se autoritetet po hetojnë rrethanat e ngjarjes në një banesë në Xylophagou, në distriktin e Famagustës.
Dyshohet se fëmijëve u ishte kërkuar të flinin në makinë dhe se ata kanë humbur jetën si pasojë e temperaturave të larta dhe mungesës së ajrit. Shkaku zyrtar i vdekjes do të përcaktohet pas autopsisë.
Sipas gazetës Cyprus Mail, në trupat e fëmijëve janë vërejtur shenja të djegieve nga nxehtësia. Media lokale raportojnë gjithashtu se automjeti ishte i mbyllur dhe i parkuar pranë një fushe, afër një zone të banuar, shkruan Dailymail.
Kjo është një tjetër tragjedi që lidhet me valën ekstreme të të nxehtit që ka përfshirë Evropën javët e fundit.
Në Francë, deri të premten, katër fëmijë kishin humbur jetën si pasojë e temperaturave rekord. Mes viktimave ishte edhe një foshnjë 18-muajshe, e cila u gjet pa shenja jete brenda një makine pasi prindi dyshohet se e kishte harruar gjatë rrugës për në punë.
Po ashtu, një djalë trevjeçar u gjet i vdekur në një makinë në periferinë e Parisit, ku temperaturat arritën mbi 40 gradë Celsius. Ndërkohë, dy vëllezër të tjerë, katër dhe dy vjeç, humbën jetën në jug të Francës pasi pësuan arrest kardiak në një automjet të parkuar jashtë shtëpisë së gjyshes së tyre.
Autoritetet franceze kanë bërë të ditur se vala e të nxehtit ka shkaktuar edhe rreth 1.000 vdekje shtesë, kryesisht te personat mbi 65 vjeç dhe ata me probleme shëndetësore. Spitalet në Francë dhe Britani raportojnë rritje të ndjeshme të thirrjeve emergjente dhe shtrimeve, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se kapacitetet spitalore po i afrohen kufirit të mbingarkesës.
The post U lanë të flinin në makinë në kulmin e të nxehtit, humbin jetën dy të mitur në Qipro appeared first on Euronews Albania.
