Mnistri serb i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiç njoftoi se Serbia ka arrestuar një person nën dyshime për krime lufte ndaj popullatës civile në Kosovë më 1999. Mësohet se ndaj të arrestuarit është vendosur masa e paraburgimit prej një muaji.
Ai është identifikuar si 47- vjeçari me inicialet D.M. Sipas Daçiç, ai është arrestuar në pikën kufitare të Batrovcit.
“Ekzistojnë dyshime të bazuara se ai e ka kryer veprën penale kundër popullsisë civile, në dëm të anëtarëve të dy familjeve, gjatë qershorit të vitit 1999, në fshatin Bec, në komunën e Gjakovës”, njoftoi ai.
Daçiç e identifikoi të arrestuarin vetëm me iniciale ndërsa një ditë më parë, avokati nga Kosova, Arianit Koci, njoftoi se autoritetet serbe kishin ndaluar Dugagjin Maxhunin nga Beci i Gjakovës.
Daçiç tha se ndaj D.M. fillimisht u caktua masa e ndalimit prej 48 orësh dhe kallëzimi penal ndaj tij më pas u dërgua në Prokurorinë serbe për Krime Lufte.
“Bazuar në vendimin e gjyqtarit të procedurës paraprake të Gjykatës së Lartë në Beograd – Departamenti për Krime Lufte, atij i është caktuar paraburgimi prej 30 ditësh”, tha Daçiç.
Serbia ka arrestuar vazhdimisht shqiptarë të Ksovës nën pretendime për krime lufte në Kosovë gjatë viteve 1998-1999.
Ky është arrestimi i dytë gjatë gushtit që Serbia bën për krime të pretenduara të luftës në Kosovë. Më 2 gusht, një burrë u arrestua në kufirin mes Serbisë dhe Hungarisë.
The post Serbia arreston një të dyshuar për krime lufte në Kosovë appeared first on Euronews Albania.
