Kriza institucionale në Kosovë, Albulena Haxhiu fton liderët politikë në Presidencë

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thirrur në një takim konsultativ liderët e partive politike ose përfaqësuesit e tyre, për të gjetur një zgjidhje për situatën aktuale politike dhe institucionale në vend.

Takimi është caktuar për të martën, 18 gusht, në Zyrën e Presidentes.

Ftesa është konfirmuar nga Presidenca e Kosovës dhe u është dërguar veçmas përfaqësuesve të subjekteve politike.

Në fokus të takimit pritet të jetë mundësia e arritjes së një marrëveshjeje për zgjedhjen e një presidenti konsensual, çka do t’i hapte rrugë edhe formimit të institucioneve të tjera kushtetuese.

Në ftesën drejtuar partive, Haxhiu thekson rëndësinë e një marrëveshjeje politike për tejkalimin e situatës së krijuar.

“Në cilësinë e Ushtrueses së Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, ju ftoj në një takim konsultativ lidhur me zhvillimet aktuale politike dhe institucionale, si dhe me rëndësinë e arritjes së një marrëveshjeje për zgjedhjen e një Presidenti konsensual dhe, rrjedhimisht, për formimin e institucioneve të tjera kushtetuese”, thuhet në ftesë.

Përfaqësuesve politikë u është kërkuar të konfirmojnë pjesëmarrjen në takim ose të njoftojnë përfaqësuesin që do të dërgojnë.

Ftesa e Haxhiut vjen në një kohë kur partitë politike po përballen me nevojën për të gjetur një kompromis për funksionalizimin e institucioneve.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka deklaruar ndërkohë se është e gatshme të votojë një president konsensual.

 

The post Kriza institucionale në Kosovë, Albulena Haxhiu fton liderët politikë në Presidencë appeared first on GIJOTINA.

Shpërndaje: