Ish-ministri i financave i Greqisë, Yanis Varoufakis është akuzuar për promovimin e përdorimit të drogës pasi pranoi publikisht se kishte përdorur një pilulë ekstazie gati katër dekada më parë.
Profesori i ekonomisë, i cili i zemëroi partnerët e eurozonës me stilin e tij jokonvencional dhe leksionet gjatë negociatave të shpëtimit në kulmin e krizës së borxhit të Greqisë në vitin 2015, tha se kishte provuar një herë ekstazi ose MDMA në Australi në vitin 1989.
“Ishte një përvojë e mrekullueshme deri në ditët pasuese”, tha ai gjatë podkastit “3026: Algoritmi Njerëzor”, duke shtuar se ishte në gjendje të kërcente për orë të tëra, por më pas vuante nga migrena.
Ai tha gjithashtu se kishte tymosur marihuanë në të kaluarën. Varoufakis, tani sekretar i partisë së vogël të majtë Mera25, pritet të paraqitet në gjykatë në dhjetor.
Partia e tij lëshoi një deklaratë duke akuzuar qeverinë konservatore të Greqisë se po përpiqet ta heshtë Varoufakis përmes gjykatave.
“Ideja që një udhëheqës i një partie politike të dalë në gjyq për referimin e përvojës së tij me substanca shumë dekada më parë nuk është një gabim i rastësishëm dhe i pafajshëm”, tha Mera25.
“Ne nuk do të heshtim. As për manipulimin provokues të gjyqësorit dhe as për problemin madhor të varësisë’, theksuan ata.
The post Pranoi se kishte përdorur një pilulë ekstazie, ish-ministri grek i financave akuzohet për përdorim të drogës appeared first on Euronews Albania.
