Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka përsëritur të hënën se beson që dekreti i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani për ta shpërndarë Kuvendin është jokushtetues dhe që përderisa të mos ketë një vendim nga Gjykata Kushtetuese, ajo nuk mund të thërrasë seancë.
Sipas saj, Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) do ta çojë shpejt në Gjykatën Kushtetuese këtë lëndë për shqyrtim.
“Nëse ka dekret për shpërndarje të Kuvendit, Kuvendi nuk mund ta vazhdojë punën. Nëse Gjykata Kushtetuese do të marrë masë të përkohshme, natyrisht që rrethanat do të ndryshojnë… vendimi i presidentes për të shpërndarë Kuvendin për mua ka qenë befasi, sepse është jokushtetues është i ngutshëm dhe si i tillë do ta kundërshtoj edhe si kryetare e Kuvendit”, ka thënë Haxhiu.
Presidentja Osmani e ka prezantuar më 6 mars dekretin për të shpërndarë Kuvendin dhe rrjedhimisht për ta çuar vendin në zgjedhje, ndonëse datë nuk është përmendur ende.
Ajo e ka arsyetuar këtë vendim, duke thënë se 5 marsi ka qenë afati i fundit për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës – meqë mandati i saj përfundon më 4 prill – por që deputetët kanë dështuar t’i përmbushin afatet ligjore.
Lëvizja Vetëvendosje në pushtet thirret në nene tjera të Kushtetutës dhe beson që dekreti nuk ka bazë, meqë procedurat për zgjedhjen e presidentit i ka nisur më 5 mars dhe ka afat prej 60 ditësh për ta finalizuar procesin.
The post Haxhiu: S’mund të thërras seancë, dekreti i Osmanit është jokushtetues appeared first on Euronews Albania.
