Marta Kos shtyn vizitën në Kosovë për shkak të zhvillimeve të fundit

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Komisonarja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, e ka shtyrë vizitën e saj të planifikuar në Kosovë, kanë konfirmuar zyrtarët e Komisionit Evropian, dhe si arsye janë përmendur zhvillimet e fundit politike në vend.

“Gjatë një bisede telefonike me kryeministrin Albin Kurti, komisionarja Kos i tha atij se do ta shtynte udhëtimin e saj të planifikuar në Kosovë për shkak të zhvillimeve të fundit politike”, ka bërë të ditur zyra për media e Komisionit.

Sipas saj, Kos synon të udhëtojë në Prishtinë “në momentin e parë të mundshëm”.

Vizita e zyrtares evropiane ishte bërë e ditur javën e kaluar. Jozyrtarisht dihej se ajo do ta vizitonte Kosovën më 12 mars, dhe kjo do të ishte vizita e saj e parë në Kosovë në cilësinë e Komisionares së Zgjerimit.

Kosova është vendi i vetëm që Kos nuk e ka vizituar ende – e që është në zonën e fushëveprimit të saj – edhe pse e drejton Departamentin e Zgjerimit në Komisionin Evropian që nga dhjetori i vitit 2024.

Në vitin 2025, si mungesë për vizitë ishte përmendur fakti që nuk ekzistonte një bashkëbisedues për shkak të krizës institucionale në Kosovë.

Lajmi për shtyrjen e vizitës së saj në Kosovë vjen një ditë pas Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur masë të përkohshme ndaj dekretit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani për të shpërndarë Kuvendin, meqë institucioni nuk ka arritur ta zgjedhë presidentin e ri deri më 5 mars.

Lëvizja Vetëvendosje, parti në pushtet, e ka çuar rastin në Kushtetuese.

Në vendimin e Gjykatës, masa e përkohshme vlen deri më 31 mars dhe deri atëherë, as Osmani nuk mund të shpallë datën e zgjedhjeve, dhe as Kuvendi nuk mund të thërrasë seancën për të vazhduar punën.

The post Marta Kos shtyn vizitën në Kosovë për shkak të zhvillimeve të fundit appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: