Një luftë, tre skenarë dhe një pyetje për ekonominë globale

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Prestigjiozja britanike Financial Times analizon sot se cilat mund të jenë pasojat ekonomike të luftës mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit. Sipas analizës, skenarët variojnë nga një armëpushim i shpejtë që do të kufizonte dëmet, deri te një konflikt më i gjatë që mund të tronditë tregjet globale të energjisë dhe të rrisë ndjeshëm çmimet e naftës dhe gazit. Por para se të kuptohen pasojat ekonomike, pyetja kryesore mbetet një tjetër: a do të përfundojë shpejt kjo luftë, apo bota po hyn në një krizë të re të gjatë energjetike?

*** 

A do të përfundojë shpejt lufta e SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit?

Kjo është pyetja kryesore nëse duam të kuptojmë pasojat ekonomike që mund të ketë ky konflikt. Por përgjigjja varet nga dy pyetje të tjera. A është e vërtetë shprehja e analistit Robert Armstrong “Taco”, që do të thotë “Trump gjithmonë tërhiqet”? Dhe së dyti: nëse Trump e konsideron luftën të mbyllur, a do të thotë kjo se ajo ka përfunduar edhe për Iranin dhe Izraelin?

Për këto dy vende, konflikti shihet si ekzistencial. Nëse ato vazhdojnë të luftojnë, atëherë edhe shkatërrimi në rajonin e Gjirit mund të vazhdojë.

Një pjesë e problemit është se është e vështirë të kuptohet saktësisht se çfarë dëshiron Trump. Ndoshta edhe ai vetë nuk e ka plotësisht të qartë. Të hënën, presidenti amerikan tha në një konferencë për shtyp se lufta do të përfundojë “shumë shpejt”, por jo këtë javë. Megjithatë vetëm dy ditë më parë ai kishte shkruar në rrjetin Truth Social se nuk do të ketë marrëveshje me Iranin përveç “DORËZIMIT TË PAKUSHTËZUAR”. Sipas tij, vetëm pas kësaj dhe pas zgjedhjes së një udhëheqësi “të madh dhe të pranueshëm”, SHBA dhe aleatët e saj do të punojnë për ta rikthyer Iranin nga “buzë shkatërrimit”. 

Nga ana tjetër, Garda Revolucionare e Iranit iu përgjigj Trump duke thënë se janë iranianët ata që do të vendosin se kur do të përfundojë lufta. Teherani paralajmëroi gjithashtu se nuk do të lejojë eksportin e “as edhe një litri të vetëm nafte” nga rajoni nëse sulmet amerikane dhe izraelite vazhdojnë.

Edhe zhvillimet brenda Iranit tregojnë se vendi nuk është i gatshëm të dorëzohet. Zgjedhja e Mojtaba Khameneit, djalit të liderit të vrarë suprem, si pasardhës i tij tregon vendosmërinë e regjimit për të vazhduar rezistencën. Në realitet, një dorëzim i pakushtëzuar duket shumë i pamundur pas një fushate ajrore konvencionale. Pas më shumë se dy vitesh bombardimesh nga Izraeli, Hamasi nuk është dorëzuar pa kushte. Është edhe më pak e mundur që Irani ta bëjë këtë. Një gjë e tillë do të kërkonte përdorimin e armëve bërthamore, një skenar ekstrem edhe për Trump.

Lexo më tej: I plagosur, por në detyrë/ Pse nuk po shfaqet në publik Mojtaba Khamenei 

Një skenar shumë më i mundshëm është ndalimi i përkohshëm i luftimeve. SHBA mund të mendojë se ka shkaktuar mjaftueshëm dëme dhe të ndalojë sulmet. Irani, i goditur rëndë, mund të ndalojë sulmet ndaj fqinjëve të tij. Trump mund të detyrojë Izraelin të ndalojë operacionet edhe nëse regjimi iranian mbetet në pushtet.

Kjo nuk do të ishte paqe e vërtetë, por një armëpushim, ndoshta i përkohshëm. Një rezultat i tillë duket mjaft i mundshëm në afatin e shkurtër, sidomos për shkak të shqetësimeve të Trump për rritjen e çmimeve të naftës. Një tjetër mundësi është që lufta të vazhdojë, por me intensitet më të ulët, pasi arsenali ushtarak i Iranit është dobësuar. Në këtë rast, edhe trafiku detar në Ngushticën e Hormuzit mund të rifillojë gradualisht.

Lexo më tej: Pse bllokimi i Hormuzit mund të kërcënojë edhe furnizimin global me ushqime 

Por çfarë do të thotë e gjithë kjo për ekonominë botërore?

Gjithçka varet nga dy faktorë kryesorë: nga eksportet e naftës dhe gazit nga rajoni dhe nga dëmet që mund të pësojnë objektet energjetike.

Sipas analizës së Capital Economics, ekzistojnë tre skenarë të mundshëm.

Skenari i parë është një konflikt i shkurtër dhe i fortë që zgjat rreth dy javë. Në këtë rast, humbja e eksporteve globale të naftës do të ishte rreth 1.4 për qind, ndërsa një përqindje e ngjashme do të ishte edhe për gazin.

Skenari i dytë është një luftë që zgjat rreth tre muaj, por pa dëme të mëdha afatgjata në infrastrukturën energjetike. Në këtë rast, në vitin 2026 eksportet botërore të naftës dhe gazit mund të bien me rreth 5-6 për qind.

Skenari i tretë është gjithashtu një luftë tre mujore, por me dëme më të rënda dhe afatgjata në kapacitetet e prodhimit, veçanërisht në ishullin iranian Kharg, një nga qendrat kryesore të eksportit të naftës. Në këtë rast, humbja e eksporteve globale mund të arrijë 8-9 për qind dhe pasojat mund të zgjasin deri në vitin 2027. Çmimi i naftës mund të shkojë deri në 150 dollarë për fuçi, ndërsa gazi në Bashkimin Europian mund të arrijë rreth 120 euro për megavat orë.

Sipas Capital Economics, një goditje e tillë në furnizimin global me energji është e krahasueshme vetëm me krizën e tmerrshme energjetike nga fundi i viteve 1970 deri në mesin e viteve 1980.

Një luftë e gjatë dhe shkatërruese do të ndikonte drejtpërdrejt në çmimet dhe në aktivitetin ekonomik. Në vendet e varfra pasojat mund të jenë shumë të rënda. Në vendet perëndimore, ku kostoja e jetesës është tashmë një çështje politike, një rritje e fortë e çmimeve të energjisë do të ishte shumë e papëlqyer.

Rritja ekonomike me siguri do të ngadalësohej. Megjithatë, siç argumenton ekonomisti Paul Krugman, edhe skenari më i keq nuk do të ishte aq i rëndë sa kriza energjetike e viteve 1970. Një arsye është se ekonomitë moderne janë më pak të varura nga nafta se atëherë. Europa gjithashtu ka treguar se mund të përshtatet më mirë me çmime të larta të gazit sesa pritej kur filloi lufta në Ukrainë. Për më tepër, bankat qendrore sot janë më të përgatitura për të kontrolluar inflacionin.

Lexo më tej: The Guardian: Lufta ndaj Iranit po i ngjan gjithnjë e më shumë pushtimit rus të Ukrainës 

Nga kjo krizë dalin edhe disa mësime ekonomike.

I pari është se vendet duhet të reduktojnë varësinë nga karburantet fosile. Për SHBA-në, çmimet e larta të energjisë mund të kenë madje një efekt të lehtë pozitiv në ekonomi, pasi ajo është eksportuese e energjisë. Por për shumicën e vendeve të tjera industriale ndodh e kundërta. Kjo e bën edhe më të rëndësishëm investimin në energji të rinovueshme.

Mësimi i dytë është se bankat qendrore duhet të sigurojnë që pritshmëritë për inflacionin të mbeten të qëndrueshme. Rritja e çmimeve pas pandemisë e bën këtë sfidë më të madhe. Bankat qendrore duhet të jenë të gatshme të reagojnë ndaj rritjeve të mëtejshme të çmimeve.

Mësimi i tretë është se subvencionimi i energjisë sa herë që çmimet rriten nuk është i qëndrueshëm. Ndihma duhet të shkojë vetëm për ata që goditen më rëndë.

Megjithatë mësimi më i madh është më i thjeshti: një armëpushim i shpejtë është i mundshëm dhe do të kufizonte dëmet. Por kjo nuk është aspak e sigurt.

Historia ka treguar shpesh se SHBA ka hyrë në luftëra me vendime të shpejta, por më pas është përfshirë në konflikte të gjata dhe të kushtueshme. Në vitet 1960, kryeministri britanik Harold Wilson vendosi ta mbajë Britaninë jashtë luftës së Vietnamit. Duke parë mënyrën impulsive si nisi kjo luftë, edhe kryeministri britanik Keir Starmer bëri mirë që u përpoq të mos përfshihej në të.

Financial Times, përgatiti në shqip ©LAPSI.AL 

The post Një luftë, tre skenarë dhe një pyetje për ekonominë globale appeared first on Lapsi.al.

Shpërndaje: