Pianisti Kostandin Tashko, një nga talentet më premtues të gjeneratës së tij në pianizmin ndërkombëtar vjen me një koncert në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit.
Pianisti, i cili prej vitesh jeton dhe zhvillon aktivitetin e tij muzikor në Itali, vjen në Tiranë e do të interpretojë koncertin për piano nr. 2 të kompozitorit rus Sergei Prokofiev, një vepër e njohur për intensitetin dramatik dhe virtuozitetin e saj të jashtëzakonshëm.
“Për mua është kënaqësi që të vij në teatrin e Opera. Është një koncert spektakolar, jo shumë i njohur për publikun këtu në Shqipëri, por jam vërtetë kurioz se si publiku do e pres, jam i bindur se do jetë një natë e paharruar”, thotë pianisti Kostandin Tashko.
Në skenë, Tashko do të shoqërohet nga orkestra e operës, nën drejtimin e dirigjentit Sergio Alapont.
“Janë dy vepra të një formati shumë të madh, dhe është sfidë edhe për dirigjentin dhe për orkestrën, sidomos ky koncert, është një vepër shumë impenjative. Është hera e parë që ne bëjmë një koncert të tillë, por kur kemi bërë provat duket se kemi luajtur prej shumë kohësh”, shprehet ai.
Rikthimi i pianistit Kostandin Tashko në skenën shqiptare shënon një moment të veçantë për jetën koncertore në vend, duke i dhënë publikut mundësinë të përjetojë nga afër interpretimin e një artisti shqiptar që vazhdon të ndërtojë karrierën e tij në skenat ndërkombëtare.
The post Pianisti Kostandin Tashko koncert në TKOB, interpreton pjesë të kompozitorit Prokofiev appeared first on Euronews Albania.
