Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç gjatë një deklaratë në Beograd ka folur lidhur me përkujtimin e sulmeve të NATO-s në vitin 1999. Vuçiç ka deklaruar se Serbia nuk do të heqë kurrë dorë nga Kosova.
Sipas tij “të huajt” i kanë premtuar se nëse do të njohë pavarësinë e Kosovës do të fitonte Çmimin Nobel për paqen.
“Të huajt ma kanë thënë këtë mijëra herë, ‘do ta fitosh Çmimin Nobel, thjesht njihe Kosovën si vend të pavarur. Shiko nga e ardhmja, mos shiko prapa, mos shiko nga e kaluara”, u shpreh ai.
Ai gjatë fjalës së tij vuri sërish në vëmendje aleancën ushtarake Shqipëri, Kosovë dhe Kroaci teksa shpesh i ka cilësuar si rrezik për Serbinë.
“Për muaj të tërë i kam pyetur kudo, ‘pse formuat një aleancë ushtarake’? Nuk ka përgjigje për këtë pyetje. Ata thonë ‘nuk është kundër jush’. Unë nuk ju pyeta këtë, po ju pyes pse e formuat atë aleancë dhe e di që nuk e formuat vetë, e di edhe kush ju tha ta formonit. Po ju pyes pse e formuat, nuk kam marrë kurrë përgjigje dhe nuk do të marr kurrë”, tha Vuçiç.
Sipas tij, Serbia nuk do të sulmojë askënd, as kroatët dhe as shqiptarët, por do ta mbrojnë vendin e tyre. Presidenti serb shtoi se vend ii tij ka forcë të mjaftueshme për të mbrojtur popullin.
The post Vuçiç: Më kanë thënë do fitosh Çmimin Nobel, thjesht njihe Kosovën appeared first on Euronews Albania.
