Prefektura e Korçës, në bashkëpunim me institucionet e tjera vendore, prej dy ditësh ka nisur një aksion që synon largimin e tregtarëve ambulantë përgjatë aksit Korce-Pogradec, duke e konsideruar praninë e tyre si burim të mundshëm aksidentesh.
Edhe pas largimit, tregtarët janë rikthyer sërish në vendet e tyre të shitjes, çfarë solli përsëri ndërhyrjen e Policisë Bashkiake për t’i larguar, në zbatim të vendimit të Prefekturës.
Aksioni i prefekturës ka shkaktuar reagime nga ana e tregtarëve, të cilët e shohin këtë ndërhyrje si kërcënim për mbijetesën e tyre.
“Unë po shes mallin tim. Jam veti i gjashtë. Me çfarë do rroj unë. Djali pa punë, gruaja pa punë, nusja pa punë. Çfarë do ha unë”, u shpreh Muharrem Shkëmbi.
“Erdhi prefektja, e shoqëruar nga Policia Bashkiake dhe ajo Rrugore. Të gjitha policitë. Edhe ne i thamë ‘pse të na heqësh fare, na largo 6 metra’. Jo tha, ‘nuk do shitet më anës xhadesë’. ‘Pse?’ i thamë ne. ‘Është burim aksidenti’ na tha. ‘Është atje, jo atje’ i thashë”, u shpreh Gurie Shkëmbi.
Ndërkohë, Prefektura bën të ditur se aksioni u ndërmor me qëllim parandalimin e aksidenteve në një aks të rëndësishëm nacional, ku ndalesat e papritura dhe prania e shitësve pranë rrugës konsiderohen faktor rreziku.
Përkundër këtij fakti, ajo që ende nuk dihet është mënyra se si do të tregtojnë në vijim prodhimet e tyre shitësit ambulantë, të cilët deri më tani kanë siguruar jetesën përmes kësaj veprimtarie.
The post “Aksion kundër ambulantëve” në Korçë, Prefektja përzë fermerët që shesin anës rrugës nacionale appeared first on GIJOTINA.
