Sporti po përdoret gjithnjë e më shumë si një mjet për të larguar të rinjtë nga veset dhe për t’i orientuar drejt një jete të shëndetshme. Në këtë kuadër, në qytetin e Elbasanit u zhvillua kampionati i volejbollit mes shkollave të mesme për vajza dhe djem, një aktivitet që tashmë është kthyer në traditë. Kampionati u mbyll me sukses, duke sjellë rivalitet, emocione dhe pjesëmarrje të gjerë nga të rinjtë. Në finalen e vajzave u përballën gjimnazet “Kostandin Kristoforidhi” dhe “Luigj Gurakuqi”, ku fituese u shpall “Kostandin Kristoforidhi” me rezultatin 2–0. Ndërsa në finalen e djemve, përballja mes “Kostandin Kristoforidhi” dhe “Sali Ceka” u fitua nga kjo e fundit, me rezultatin 2–0.
“Ishte një event shumë i bukur. Të dy skuadrat, si “Kostandini” që fitoi trofeun, ashtu edhe “Luigj Gurakuqi”, ishin ekipe të barabarta. Luajtën shumë mirë dhe u kënaqën, pavarësisht se fitorja gjithmonë të gëzon.
Pjesëmarrja e fëmijëve në këto aktivitete i shkëput nga problematikat e tjera që nuk janë pozitive për këtë moshë. Sot u tregua që ishte një event i bukur, me garë dhe emocion”, tha Artur Spahiu, Mësues i Edukimit Fizik, “Kostandin Kristoforidhi”
Organizatorët theksuan rëndësinë që kanë aktivitete të tilla në formimin e të rinjve dhe në largimin e tyre nga ndikimet negative.
“Sapo shpallëm fituesin tek femrat dhe i përgëzojmë trajneret e gjimnastikës, së bashku me sportistet, për punën e mirë dhe emocionin që na dhuruan.
Sa rëndësi kanë këto aktivitete për këtë moshë? Duke qenë se jetojmë në një kohë moderne, ku teknologjia po dominon, ne mundohemi t’i shkëpusim fëmijët nga ajo. Për të pasur një rini sa më vitale dhe sa më të shëndetshme, pa vese, sporti gjithmonë jep këtë mesazh: të mban larg veseve të këqija, por të ndihmon edhe në socializim, sensibilizim dhe bashkëpunim në grup”, u shpreh Mirandi Backa, Drejtor i Klubit Shumësportësh Elbasan.
Elbasani vijon të zhvillojë aktivitete të kësaj natyre, duke promovuar sportin dhe duke nxitur të rinjtë drejt angazhimit në aktivitete sportive.
The post Sporti bashkon të rinjtë në Elbasan, zhvillohet kampionati i volejbollit appeared first on Euronews Albania.
