Gennaro Gattuso jep dorëheqjen nga drejtimi i kombëtares italiane të futbollit

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Pritet vetëm një deklaratë zyrtare (e parashikuar për sot), por ‘SportMediaset’ e bën fakt të kryer dorëheqjen e Gannaro Gattusos nga posti i trajnerit në kombëtaren italiane të futbollit. Dështimi për herën e tretë radhazi për të dërguar të kaltrit në finalet e një Kupe Bote pas humbjes me penallti në Zenica të Bosnje Hercegovinës, ka shkaktuar ‘tërmet’ përtej Adriatikut.

Pas mesditës së djeshme, në mbledhjen e Bordit të Federatës Italiane të Futbollit (FIGC), kreu i këtij institucioni, Gabriele Gravina dha dorëheqjen dhe fill pas tij edhe shefi i delegacionit të kombëtares së Italisë, legjenda e portës Gianluigi Buffon.

Tanimë mediet në Itali njoftojnë se edhe Gattuso e ka ndarë mendjen për t’u larguar, duke bërë kështu që gjithë zinxhiri drejtues i kombëtares së Italisë të pranojë dështimin dhe të mbajë përgjegjësi. Gara për pasardhësin tani është duke u zhvilluar dhe kandidatët më të mundshëm për të udhëhequr rimëkëmbjen e Italisë janë aktualisht Roberto Mancini, Max Allegri, Simone Inzaghi dhe Antonio Conte.

Zgjedhjet e reja për kreun e FIGC do mbahen më 22 qershor në Romë, teksa do duhen vite, shumë ide dhe durim për ringritjen e futbollit italian në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.

The post Gennaro Gattuso jep dorëheqjen nga drejtimi i kombëtares italiane të futbollit appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: