I ftuar në një lidhje live për Euronews, profesor Arsim Sinani gjatë bisedës me gazetarin Thimi Samarxhiu tha se protesta e studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut lidhet drejtpërdrejt me mohimin e një të drejte themelore, siç është përdorimi i gjuhës amtare në arsim, konkretisht në provimin e jurisprudencës.
Sipas tij, kjo situatë nuk është thjesht një çështje akademike, por një tregues i një problemi më të thellë shoqëror dhe institucional, që kërkon reagim jo vetëm nga studentët, por edhe nga politika dhe institucionet përgjegjëse.
“Studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut kanë nisur një protestë, e nxitur nga fakti që nuk u lejohet ta mbajnë provimin e jurisprudencës në gjuhën e tyre amtare, pra shqipen. Kjo po hap një kapitull të ri që i ka munguar Maqedonisë së Veriut. I inkurajoj studentët jo vetëm për këtë rast, por për çdo padrejtësi që u bëhet, për çdo tabelë që nuk respektohet në gjuhën shqipe, ta kërkojnë dhe ta vendosin edhe në shqip. Kjo do të thotë që ne kemi dështuar. Edhe unë e vendos veten te kjo pjesë. Nuk kemi arritur t’i realizojmë ato për të cilat kemi luftuar dhe kemi negociuar, madje i kemi humbur nga moskujdesi apo nga interesa të ngushta personale. Prandaj lëvizjet studentore janë ato që i japin kuptim shoqërisë dhe e ndryshojnë atë. Unë besoj se studentët tanë do t’i japin kuptim këtyre zhvillimeve, jo vetëm për demokratizimin e Maqedonisë së Veriut, por edhe për ndryshimin e mendësisë. Kemi një shoqëri që shpesh refuzon shqiptarët dhe kjo duhet të ndryshojë. Kjo kërkon një lëvizje si kjo e studentëve, e cila i zgjon politikanët që bëjnë kompromise dhe nuk bashkëpunojnë në institucione. Unë jam për t’i mbështetur studentët, por institucionet duhet të jenë aty, të unifikuara dhe të përdorin mekanizma si parimi i badinterit për të ecur përpara. Çështja e gjuhës shqipe është shumë e rëndësishme dhe është folur pak për të. Unë i mbështes, sepse dua që fëmijët e mi dhe të gjithë fëmijët në Maqedoni të jetojnë mirë, jo të keqpërdoren nga pushteti për interesa personale. Shqiptarët kanë mungesë të drejtash dhe këto të drejta janë negociuar, por duhet të jenë të panegociueshme për t’u realizuar. Studentët do ta bëjnë ndryshimin që ne e presim. Ata nuk pajtohen me realitetin aktual dhe kjo do të zhveshë Maqedoninë e Veriut nga mendësia e vjetër. Brenda institucioneve në Shkup nuk kuptohet realiteti i vërtetë. Ka përpjekje për të ruajtur maqedonizmin dhe për të luftuar identitetin shqiptar, por kjo është diçka që të rinjtë nuk do ta pranojnë. Prandaj ata protestojnë dhe kjo lëvizje do të hapë procese të reja që partitë politike nuk po arrijnë t’i realizojnë”, tha ai.
The post Sinani: Studentët shqiptarë në RMV po luftojnë për të drejta të panegociueshme appeared first on Euronews Albania.
