Dorothy Boggess dhe Velma Long janë të dyja 109 vjeçe dhe mikesha prej më shumë se tetë dekadash. Pavarësisht moshës, ato vazhdojnë të jenë aktive dhe thonë se një nga sekretet kryesore të jetëgjatësisë së tyre është jeta sociale.
Të arrish këtë moshë do të thotë të bëhesh pjesë e një grupi shumë të vogël njerëzish. Vetëm 0.03 për qind e amerikanëve jetojnë mbi 100 vjeç.
Dy gratë u njohën në Uashington gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur punonin për administratën amerikane, raporton washingtonpost.com. Bashkëshortët e tyre ishin kushërinj dhe miq të ngushtë, ndërsa edhe Dorothy dhe Velma krijuan një miqësi që vazhdon prej më shumë se 80 vitesh.
Sot e kanë më të vështirë të takohen shpesh, por komunikojnë në telefon pothuajse çdo ditë.
Boggess vazhdon ta nisë mëngjesin me ushtrime dhe kërcim në kuzhinën e saj. Ajo mësoi të notonte në moshën 69-vjeçare, ndërsa gjatë jetës ka udhëtuar në shumë vende, nga Argjentina deri në Turqi.
Edhe Long vazhdon të dalë, të udhëtojë dhe të marrë pjesë në aktivitete me familjen. Vajza e saj kujton se në ditëlindjen e 100-të, Long ende kërcente me taka.
Të dyja kanë qenë aktive në komunitetet e tyre, në kishë dhe në organizata të ndryshme shoqërore. Ato kujdesen gjithashtu për ushqimin dhe përpiqen të ruajnë aktivitetin fizik.
Por kur pyeten për sekretin e jetëgjatësisë, ato veçojnë mbi të gjitha marrëdhëniet me njerëzit.
Sipas tyre, miqësia, familja, aktiviteti dhe një jetë e pasur sociale kanë luajtur një rol të rëndësishëm që ato të vazhdojnë të shijojnë jetën edhe në moshën 109-vjeçare. Ato veçojnë gjithashtu humorin, udhëtimet dhe përfshirjen në komunitet si mënyra për të mbajtur një jetë aktive dhe të pasur.
The post Dy mikesha, të dyja 109-vjeçe tregojnë sekretin e jetëgjatësisë appeared first on Euronews Albania.
