Çfarë po e bllokon anëtarësimin e Kosovës në KiE? Gazetari zbulon arsyen

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Në një lidhje live për Euronews Albania, gazetari Kosov Gjoci dha më shumë detaje se përse Kosova nuk u bë pjesë e axhendës për takimin e radhës të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, e cila do të mbahet në maj në Moldavi.

Sipas Gjocit, gjasat që axhenda mund të ndryshojë nuk janë shumë të mëdha, pasi, siç theksoi ai, një axhendë hartohet një muaj përpara.

Ndërkohë Gjoci bëri të ditur se përjashtimi nga axhenda ka ardhur nga faktorë që lidhen me çështjen e asociacionit dhe me zbatimin e disa marrëveshjeve të dialogut.

“Momentalisht Kosova nuk është në axhendën e takimit të ministrave të vendeve anëtare. Kemi edhe pak hapësirë që mund të ndodhë edhe ndonjë lëvizje, edhe pse axhenda paracaktohet më herët të paktën një javë, një muaj dhe gjasat që të ndryshojë nuk janë dhe aq të mëdha, por nuk mund të përjashtohet që mund të ketë ndonjë lëvizje.

Para disa vitesh ky proces ishte i përfunduar dhe e ke parasysh në atë kohë kur Theodora Bakoyannis, raportuese e Këshillit të Evropës për Kosovën, hartoi një raport pozitiv dhe më pas Asambleja e Përgjithshme votoi pro anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, por më pas rrugës dolën disa probleme që lidhen me çështjen e asociacionit dhe me zbatimin e disa marrëveshjeve të dialogut, që sollën edhe bllokimin e këtij procesi.

Edhe sikur të futemi në axhendë do të ketë kërkesa nga Kosova që të vazhdojë më tutje. Sa është në gjendje të ndodhë kjo është problem, sepse nuk ka shumë kohë dhe nuk do të ketë shumë mundësi për të ndryshuar diçka në axhendën e takimit.

Por kjo do të varet edhe nga ajo se sa do të jetë i gatshëm Kurti dhe qeveria e Kosovës që të pranojnë disa obligime që mund të vinë në kuadër të një ecjeje tutje”, u shpreh Gjoci.

The post Çfarë po e bllokon anëtarësimin e Kosovës në KiE? Gazetari zbulon arsyen appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: