Elbasani në fokusin sportiv rajonal, bëhet gati për Ballkaniadën e Ping Pongut

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Elbasani po synon të konsolidohet si një nga qendrat kryesore sportive në rajon, ndërsa përgatitet të mirëpresë aktivitete të rëndësishme ndërkombëtare. Në këtë kuadër, në Drejtorinë e Klubit Shumësportësh Elbasan u zhvillua një takim zyrtar me përfaqësues të Federatës së Ping Pongut të Ballkanit dhe Federatës Shqiptare të Ping Pongut.

Në fokus të diskutimeve ishte plani i masave dhe koordinimi institucional për organizimin e Ballkaniadës së Ping Pongut, e cila pritet të zhvillohet në muajin qershor në qytet

Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Ballkanike të Ping Pongut, Milorad Trpkovski, u shpreh i kënaqur me kushtet që ofron Pallati i Sportit “Tomorr Sinani”, duke vlerësuar gjithashtu mikpritjen dhe angazhimin e palës shqiptare.

“Jam shumë i lumtur të ndodhem këtu. Para 11 vitesh kam qenë në Shqipëri për ndeshjet e para të ping pongut, për ballkaniadën e fëmijëve dhe kadetëve. Ky kampionat që po bëhet tani është akoma edhe më interesant. Në kampionatin ballkanik kemi 16 shtete dhe shpresojmë që shumë prej tyre të vijnë këu. Pas këtij takimi do të flasim me të gjithë federatat e tjera”, tha Milorad Trpkovski – Sekretar i Përgjithshëm i BTTU.

Presidenti i Federatës Shqiptare të Ping Pongut vlerëson organizimin që do mbajë vendi ynë dhe shpreson tek rezultatet pozitive të sportistëve shqiptarë.

Pas përfundimit të mbledhjes, delegacioni u prit nga Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, ku u firmosën kontratat e bashkëpunimit për realizimin e këtij aktiviteti ndërkombëtar.  

The post Elbasani në fokusin sportiv rajonal, bëhet gati për Ballkaniadën e Ping Pongut appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: