Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka njoftuar se qeveria ka miratuar vendimin për shpalljen e “Parkut Arkeologjik të Orikumit” si pasuri kulturore të paluajtshme.
Në një postim në rrjetet sociale, Gonxhja thekson se vendimi i miratuar nga Këshilli i Ministrave synon të forcojë kuadrin ligjor dhe institucional për administrimin e një prej siteve më të rëndësishme arkeologjike në vend, duke garantuar ruajtjen e vlerave historike dhe trajtimin e tij si një njësi të pavarur menaxhimi. Sipas tij, kjo qasje sjell një administrim më të specializuar për ruajtjen, studimin dhe promovimin e zonës.
“Në thelb të vendimit qëndron edhe miratimi i zonifikimit të parkut në dy zona kryesore, Zona A dhe Zona B, të cilat përcaktojnë nivele të ndryshme mbrojtjeje dhe ndërhyrjeje. Zona A përfshin bërthamën e qytetit antik dhe gëzon nivelin më të lartë të mbrojtjes, ku lejohen vetëm ndërhyrje konservuese, restauruese dhe kërkime shkencore. Ndërkohë, Zona B përfshin hapësirat përreth me potencial arkeologjik, ku ndërhyrjet zhvillimore mund të realizohen vetëm në mënyrë të kontrolluar dhe pas vlerësimeve përkatëse. Sipas autoriteteve, ky zonifikim krijon një ekuilibër të qëndrueshëm mes mbrojtjes së trashëgimisë kulturore dhe zhvillimit të kontrolluar të zonës”, shkruan Gonxhja.
The post Gonxhja: Parku Arkeologjik i Orikumit shpallet pasuri kulturore e paluajtshme appeared first on Euronews Albania.
