Bordi i Paqes/ Forca e Sigurisë së Kosovës mbërrin në Gaza për misionin paqeruajtës

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Një ekip i Forcës së Sigurisë së Kosovës ka mbërritur në Gaza, duke shënuar hapin e parë konkret për vendosjen e trupave kosovare në misionin paqeruajtës të Forcave Stabilizuese Ndërkombëtare (ISF) në kornizën e marrëveshjes së Bordit të Paqes i inaguruar me 19 shkurt të këtij viti

Ekipi është dërguar me urdhër të komandantit të FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, me një detyrë të qartë: të vlerësojë terrenin dhe të koordinojë çdo hap për dislokimin e kontingjentit kosovar në zonë.

Gjatë qëndrimit në Gaza, delegacioni ka zhvilluar takime me autoritetet që administrojnë territorin, si dhe me përfaqësues të Qendrës Koordinuese Civilo-Ushtarake (CMCC), e cila funksionon nën mbikëqyrjen e Bordit të Paqes, në përputhje me Rezolutën 2803 të OKB-së.

Në fokus të këtyre takimeve kanë qenë integrimi i trupave të FSK-së në mision, organizimi i operacioneve të përbashkëta dhe sigurimi i mbështetjes logjistike, si elementë kyç për funksionimin e kontingjentit në terren.

Përmes një postimi në rrjete sociale, FSK ka ritheksuar përkushtimin për të kontribuar në paqe dhe stabilitet global, në krah të aleatëve ndërkombëtarë, me theks të veçantë bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Vendimi për këtë angazhim u mor më 20 prill, kur Presidentja në detyrë e Kosovës, Albulena Haxhiu, autorizoi dërgimin e FSK-së në operacionin ndërkombëtar. Më pas, edhe Kuvendi i Kosovës dha dritën jeshile për pjesëmarrjen në misionin paqeruajtës.

Kosova është ndër pesë shtetet e para që janë zotuar për këtë mision, së bashku me Indonezinë, Marokun, Kazakistanin dhe Shqipërinë, me synimin për të garantuar siguri dhe për të mbikëqyrur armëpushimin në Rripin e Gazës.

Forcat Ndërkombëtare Stabilizuese pritet të kenë një rol kyç në stabilizimin e situatës së sigurisë në Gaza, pas luftës që shpërtheu në tetor të vitit 2023, kur Hamasi, i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropia, sulmoi Izraelin, duke vrarë mbi 1.200 persona dhe duke marrë pengje.

gijotina.com/

The post Bordi i Paqes/ Forca e Sigurisë së Kosovës mbërrin në Gaza për misionin paqeruajtës appeared first on GIJOTINA.

Shpërndaje: