Tirana ka triumfuar me përmbysje 2-1 në derbin ndaj Partizanit, në ndeshjen e zhvilluar në “Air Albania”, në një sfidë me dy tablo të ndryshme, ku pjesa e parë i përkiste të kuqve dhe e dyta bardhebluve.
Ndeshja u zhbllokua në minutën e 22-të, kur Human përfitoi nga një top në zonë dhe e dërgoi në rrjetë, duke i dhënë avantazhin Partizanit.
Fraksioni i dytë ndryshoi totalisht ritmin e lojës dhe u dominua nga Tirana duke konkretizuar me gol në minutën e 65-të, kur Kreshiç shënoi me kokë pas një krosimi të ardhur nga Alvarez, duke vendosur baraspeshën 1-1.
Përmbysja e madhe erdhi kur Freddy Alvarez ekzekutoi në mënyrë perfekte një goditje dënimi, duke e dërguar topin në rrjetë dhe duke vulosur fitoren 2-1 për Tiranën.
Me këtë sukses, Tirana ngjitet në vendin e shtatë me 35 pikë dhe hedh një hap të rëndësishëm në luftën për mbijetesë, ndërsa Partizani mbetet në vendin e pestë me 10 pikë më shumë, duke e bërë edhe më të vështirë garën për “Final Four”.
Katër javë nga fundi i kampionatit, gara mbetet e hapur në të gjitha drejtimet. Vllaznia dhe Elbasani kanë siguruar tashmë dy vendet e para në “Final 4”, ndërsa për dy vendet e mbetura po luftojnë Egnatia, Dinamo City dhe Partizani.
Paralelisht, po zhvillohet edhe gara për mbijetesë, ku diferencat janë minimale dhe çdo ndeshje mund të ndryshojë renditjen. Flamurtari mban vendin e fundit, por është shumë pranë Bylisit, Vorës dhe Tiranës, duke e mbajtur të hapur luftën deri në javët e fundit të sezonit.
The post Fitore e madhe në derbi, Tirana përmbys Partizanin 2-1 appeared first on Euronews Albania.
