Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, tha se kreu i LVV-së, Albin Kurti po kërkon nga partia e saj një kandidat të dytë, në mënyrë që presidente të zgjidhet Feride Rushiti.
“I kemi 15 nënshkrime për kandidatin që LDK merr vendim ta kandidojë. Kryetari Abdixhiku ka thënë se mund të jetë Vjosa Osmani dhe ne nuk kemi asnjë dilemë. Ajo që kemi dilemë është që ftesa ishte që të ketë një kandidat të dytë që t’i mundësohet kandidates të LVV-së që të zgjidhet presidente e Kosovës”, tha Lushaku-Sadriu.
Kurti tha disa minuta më parë se e pranon edhe ish-presidenten Vjosa Osmani si kandidate të Rushitit për presidente. Ai tha se pret 15 nënshkrimet e LDK-së dhe emrin zyrtar të kandidatit për president nga ta.
“Pyetja më e rëndësishme është a i jep 66 vota LVV-ja për kandidatin e LDK-së”, pyeti Lushaku-Sadriu.
Ndërkaq, në një postim në Facebook, deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, tha se Kurti po kërkon që t’i bëhet kuorumi për zgjedhjen e presidentit.
Deri më tani, ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani nuk ka pasur ndonjë deklaratë publike pas përmendjes së emrit të saj si kandidate e mundshme e propozuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Radio Evropa e Lirë është duke bërë përpjekje për të marrë reagim nga Osmani ose ekipi i saj në lidhje me këtë çështje.
Në përpjekjet e kaluara për zgjedhjen e presidentit, nga kabineti i Osmanit ishte thënë që ajo refuzon të jetë kundërkandidate formale për presidente, nëse nuk ka vota të garantuara për t’u zgjedhur.
“Nëse dikujt i thoni eja veç sa për formalitet bëhu kundërkandidate e (në atë kohë) Glauk Konjufca, pra veç sa për numër, në mënyrë që pastaj të mund ta fajësojmë së bashku opozitën për shkuarje në zgjedhje, a ka më turp?”, kishte shkruar shefja e kabinetit të Osmanit, Learta Hollaj në Facebook, më 4 mars.
The post LDK: LVV po kërkon një kandidat tjetër që Rushiti të bëhet presidente appeared first on Euronews Albania.
