Ligji për të ndaluar deputetët dhe funksionarët e tjerë publikë që të kenë shtetësi të dyfishtë ka përplasur pushtetin dhe opozitën në Maqedoninë e Veriut. Edhe pse iniciativa fillestare kufizohet vetëm tek deputetët dhe nuk parashikohet të zbatohet për përbërjen aktuale, opozita kërkon që ligji të përfshijë si funksionarët aktualë, ashtu edhe ata të ardhshëm, si dhe të shtrihet në të gjitha funksionet publike.
Sipas kryetarit të LSDM-së opozitare, Venko Filipçe, pushteti nuk dëshiron që ligji të vlejë për ta, pasi, sipas tij, një pjesë e konsiderueshme e zyrtarëve posedojnë pasaporta bullgare.
“Përderisa VMRO DPMNE e bllokon rrugën evropiane të shtetit, gjysma e VMRO DPMNE-së, përfshirë edhe bashkëpunëtorët më të ngushtë të kryeministrit, ministra, deputetë kanë pasaporta bullgare. E ky është patriotizmi i tyre i gënjeshtërt. Gjasme po mbrojnë identitetin, ndërsa marrin pasaporta bullgare evropiane….”, tha Venko Filipçe, kryetar i LSDM-së
Ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski, deklaron se nuk sheh pengesë që ndalesa për shtetësi të dyfishtë të vlejë për të gjithë funksionarët publikë, veçanërisht për poste të ndjeshme si ai i drejtimit të policisë. Megjithatë, për zbatimin e mundshëm tek funksionarët aktualë, ai thekson nevojën për opinion ekspertësh.
“Secili që është në funksion publik duhet të jetë shtetas i vendit ku e ushtron funksionin, dhe vetëm i atij shteti. Unë personalisht kam vetëm shtetësinë maqedonase. Dhe vlerësoj se sidomos në postin tim kushdo që vjen ku ka çështje të sigurisë së lartë, duhet të jetë shtetas vetëm i RMV-së”, theksoi Pançe Toshkovski, ministër i Brendshëm i RMV.
Nuk ka të dhëna zyrtare për numrin e funksionarëve të Maqedonisë së Veriut me shtetësi të dyfishtë, por sipas autoriteteve bullgare, mbi 216 mijë qytetarë të vendit janë pajisur me pasaporta bullgare.
Ndërkohë, kushti për të pasur vetëm shtetësi maqedonase është miratuar tashmë për zgjedhjen e Kryeprokurorit.
The post Përplasje politike për ligjin ndaj shtetësisë së dyfishtë në RMV appeared first on Euronews Albania.
