Një veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka mbërritur në vendlindje të mërkurën herët, pasi u lirua nga paraburgimi në Serbi, ku ishte mbajtur për rreth tre muaj me akuzat për krime kundër popullatës civile, njoftoi avokati i tij, Arianit Koci.
Mit’hat Llozhani mbërriti në Kosovë rreth orës 05:00 të mëngjesit, bëri të ditur Koci përmes një postimi në Facebook.
Koci theksoi se Llozhani “ka kaluar një periudhë jo të lehtë” dhe shtoi se më shumë hollësi “do të japim bashkë me Mit’hatin, ditëve në vijim”.
Llozhani ishte arrestuar më 5 shkurt, sapo kishte hyrë në Serbi nga pika kufitare e Batrovcit, në kufi me Kroacinë.
Ai ishte dërguar në paraburgim nga autoritetet serbe, të cilat thanë asokohe se ai dyshohej se kishte kryer trajnime si pjesëtar i UÇK-së në Zonën Operative të Dukagjinit në vitet 1998 dhe 1999.
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së i kishte thënë Radios Evropa e Lirë (REL) në shkurt se Llozhani kishte marrë pjesë në disa stërvitje në Shqipëri, por nuk kishte të dhëna se ai kishte qenë në vijat e frontit në Kosovë.
Nënkryetari i kësaj organizate, Gazmend Syla, i kishte deklaruar REL-it se Llozhanit i ishte gjetur kartela e veteranit në xhep gjatë kontrollit nga autoritetet serbe.
Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës (MPJD) kishte kërkuar angazhim nga bashkësia ndërkombëtare për të ndihmuar në lirimin e Llozhanit.
Rastet e të arrestuarve në Serbi, sipas burimeve në MPJD:
Arbnor Spahiu – i arrestuar në qershor nën dyshimet për “vrasje të rëndë” në Banjskë; u lirua më 21 nëntor.
Lulzim Halili – i arrestuar në korrik, i akuzuar për “krime lufte”; mbetet në paraburgim.
Sasha Gjorgjeviq – i arrestuar në korrik, nën dyshimet për “bashkëpunim me Shërbimin Informativ të Shtetit të Shqipërisë (SHISH), përmes Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI)”; mbetet në paraburgim.
Behar Preniqi – i arrestuar në gusht, si “pjesëtar i dyshuar i UÇK-së”; mbetet në paraburgim.
Hazir Haziri – i arrestuar në shtator nën dyshimet për “krime lufte”; u lirua në janar 2026.
Avni Qenaj – i arrestuar në nëntor për “krime lufte”; gjykata në Beograd i dha një muaj paraburgim.
Millan Vukashinoviq – dyshohet se është rrëmbyer nga xhandarmëria serbe në Leposaviq më 1 nëntor.
Më 14 gusht, autoritetet serbe njoftuan se ndaluan edhe dy persona me inicialet X.E. dhe B.E. (Xhemajl dhe Bashkim Emini) në pikën kufitare Horgosh, mes Serbisë dhe Hungarisë, nën dyshimet se si pjesëtarë të UÇK-së “kanë kryer krime lufte kundër popullsisë civile”. Pesë ditë më pas, ata u liruan.
The post Lirohet nga paraburgimi në Serbi veterani i UÇK-së, Mit’hat Llozhani kthehet në Kosovë appeared first on Euronews Albania.
