Kurti uron 1 Majin dhe akuzon opozitën për bllokim të paketës kundër inflacionit

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Kryeministri në detyrë i Kosovë, Albin Kurti, ka uruar Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, 1 Majin, ndërsa ka akuzuar opozitën për bllokimin e paketës për përballimin e inflacionit, si dhe për bojkotin e zgjedhjes së presidentit që, sipas tij, e çoi vendin në zgjedhje.

Kurti kritikoi opozitën për mosvotimin e një pakete prej 200 milionë eurosh për përballimin e inflacionit, e cila sipas tij parashikonte mbështetje për sektorin privat, studentët dhe familjet.

“Propozuam një paketë prej 200 milionë eurosh për përballjen me inflacionin, por ajo u bllokua në Kuvend nga një opozitë që zgjodhi të mos votojë. E njëjta opozitë që bojkotoi zgjedhjen e presidentit dhe e çoi vendin në zgjedhje. Votat janë të regjistruara dhe qytetarët do të nxjerrin përfundimet e tyre.”Votat janë të regjistruara. Qytetarët do të nxjerrin përfundimet e tyre”, tha Kurti.

Në mesazhin e tij, Kurti theksoi se, sipas raporteve ndërkombëtare të sindikatave, të drejtat e punëtorëve janë goditur ndjeshëm në nivel global gjatë vitit 2025, duke shtuar se ky realitet reflektohet edhe në Kosovë.

Duke renditur arritjet e qeverisë, ai kujtoi se paga minimale është rritur nga 170 euro në 425 euro dhe pritet të shkojë në 500 euro nga 1 korriku. Sipas tij, kjo ka ndikuar drejtpërdrejt rreth 150 mijë punëtorë, kryesisht në sektorin privat.

Kurti përmendi gjithashtu vendosjen e pagës së 13-të për sektorin publik, zgjerimin e programit “Superpuna”, përmes të cilit janë punësuar mbi 23 mijë të rinj, si dhe mbështetjen për rreth 10.500 biznese.

Ai theksoi se gjatë qeverisjes së tij janë rritur pensionet nga 90 në 150 euro, janë futur për herë të parë shtesat për fëmijë dhe nënat lehona, si dhe janë subvencionuar pagat për familjet pa të punësuar dhe për gratë në tregun e punës.

Sipas Kurtit, numri i të punësuarve në vend është rritur nga rreth 350 mijë në 435 mijë, duke shënuar një shtim prej rreth 85 mijë vendesh pune në tre vjet e gjysmë.

Ai bëri të ditur gjithashtu se është miratuar projektligji për sigurimet shëndetësore, i cili synon mbulim universal për qytetarët, pavarësisht statusit të punësimit.

Në fund, ai theksoi se një nga sfidat kryesore për të drejtat e punëtorëve në Kosovë mbetet mungesa e organizimit sindikal në sektorin privat.

The post Kurti uron 1 Majin dhe akuzon opozitën për bllokim të paketës kundër inflacionit appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: