Kënga polifonike shqiptare po përballet me rrezikun e degradimit dhe humbjes së vlerave të saj tradicionale, duke u kthyer gjithnjë e më shumë në një “mall tregu”, sipas mjeshtrit të njohur Sejmen Gjokoli.
Ai shprehet se kjo pasuri e trashëgimisë kulturore, e njohur edhe nga UNESCO, po humbet autenticitetin për shkak të trajtimit të saj në mënyrë të papërshtatshme dhe mungesës së kujdesit institucional.
“Padrejtësisht, kënga është kthyer në një mall tregu dhe kjo nuk i bën mirë as trashëgimisë, as traditës. Ne kemi këngë lirike, epike dhe historike, dhe nuk duhet ta shndërrojmë këtë në dukuri të momentit”, thotë Sejmen Gjokoli.
Sipas tij, mungesa e ndërhyrjes së institucioneve rrezikon seriozisht të ardhmen e polifonisë shqiptare.
“Nëse nuk ka përkujdesje institucionale për këtë vlerë, që është shpallur kryevepër e trashëgimisë gojore të njerëzimit, atëherë rrezikon të humbasë statusin dhe autenticitetin e saj”, thotë ai.
Gjokoli thekson gjithashtu se polifonia nuk duhet të shndërrohet në produkt të porositur apo të përdoret për qëllime të momentit.
“Nëse e kthejmë në diçka që porositet për arsye të ndryshme, atëherë e shndërrojmë në treg të gabuar dhe i bëjmë dëm të madh jo vetëm një treve, por gjithë kombit”, thotë Sejmen Gjokoli.
Ai shton se kënga polifonike duhet të mbetet pjesë e trashëgimisë së pastër, duke u kënduar për vlera lirike, natyrore dhe historike, jo për ngjarje të momentit apo qëllime politike.
Sipas tij, vitet e fundit është vërejtur një zhvendosje nga temat tradicionale drejt teksteve të krijuara për spektakle televizive apo evenimente politike, çka, sipas ekspertëve, po e zbeh identitetin e saj.
The post Mjeshtri Gjokoli: Kënga polifonike po kthehet në “mall tregu” dhe po humb vlerat appeared first on Euronews Albania.
