E ftuar në një lidhje live për emisionin “Kubi Sportiv” në Euronews, kapitenia e Pogradecit në volejboll për femra, Paola Gjata, ka folur pas fitores ndaj Tiranës me rezultatin 3-0 në sete.
Kjo fitore e rëndësishme e çon serinë e finaleve në 2-2, duke shtyrë kështu vendosjen e titullit kampion në ndeshjen e pestë, e cila do të luhet në Pogradec ndërsa Gjata vlerësoi paraqitjen e skuadrës së saj, duke theksuar se ndeshja nuk ka qenë aq e lehtë sa duket nga rezultati.
“Jemi shumë të lumtura për këtë fitore. Finalet kanë qenë shumë emocionuese, sepse asnjë ndeshje nuk ka qenë e sigurt. Tirana fiton në Pogradec, ne fitojmë në Tiranë. Kjo tregon nivelin e dy ekipeve,” u shpreh Gjata.
Sipas saj, diferenca në këtë përballje u bë nga gabimet më të pakta dhe ekzekutimi i saktë në momentet vendimtare.
“Rezultati nuk ishte thjesht i lehtë, por ne bëmë më pak gabime dhe i menaxhuam më mirë momentet deçizive,” shtoi kapitenia.
Paola Gjata theksoi gjithashtu forcën e grupit si “sekretin” e suksesit të Pogradecit, duke nënvizuar harmoninë dhe bashkëpunimin brenda skuadrës.
“Sekreti është forca e grupit. Kemi një ekip shumë të mirë dhe një bashkëpunim të madh mes vajzave,” tha ajo.
Një tjetër faktor i rëndësishëm, sipas saj, është edhe mbështetja e tifozerisë vendase, e cila ka krijuar një atmosferë të veçantë gjatë gjithë sezonit.
“Është kënaqësi të kesh gjithë qytetin që të mbështet. Ata janë si një lojtar i shtatë në fushë,” u shpreh Gjata.
Duke folur për finalen vendimtare të së hënës, kapitenia e Pogradecit parashikoi një ndeshje të fortë dhe të ekuilibruar.
“Do të jetë një luftë sportive shumë e madhe. Diferencën do ta bëjë ekipi që gabon më pak,” deklaroi ajo.
Pogradeci dhe Tirana kanë ndarë fitoret në mënyrë të alternuar gjatë serisë finale, duke e çuar gjithçka në përballjen e fundit që do të vendosë kampionen e sezonit në volejbollin shqiptar për femra.
Ekipi kampion do të shpallet në finalen e pestë e cila do të zhvillohet të hënën në Pogradec duke nisur nga ora 18:00.
The post Volej/ Paola Gjata pas fitores 3-0 ndaj Tiranës: Sekreti i Pogradecit, forca e grupit appeared first on Euronews Albania.
