Është shënuar këtë të diel 27-vjetori i Masakrës së Bukoshit në Kosovë, ku më 3 maj të vitit 1999, 25 civilë shqiptarë, burra dhe djem të moshave nga 5 deri në 85 vjeç, u ndanë dhunshëm nga familjet e tyre dhe më pas u ekzekutuan nga forcat serbe pranë shkollës në Bukosh.
Në këtë përvjetor përkujtimor, familjarë, qytetarë dhe përfaqësues institucionalë janë mbledhur për të nderuar viktimat e kësaj masakre dhe për të kujtuar më të dashurit e tyre.
Në ceremoninë përkujtimore ka marrë pjesë edhe ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, e cila ka bërë homazhe dhe ajo nënvizoi se Masakra e Bukoshit është dëshmi e krimeve të rënda të luftës dhe e politikave të spastrimit etnik të kryera në Kosovë, duke theksuar se këto ngjarje nuk mund të shihen si raste të izoluara.
Haxhiu: Dëshmi e gjenocidit dhe spastrimit etnik që Serbia e ka bërë në Kosovë
“Ne jemi këtu për të nderuar martirët e pafajshëm. Kjo çfarë ka ndodhur para 27 viteve këtu në Bukosh nuk është diçka e izoluar, pra është dëshmia e gjenocidit dhe spastrimit etnik që Serbia e ka bërë në Republikën e Kosovës. Por qëndresa e shqiptarëve të Kosovës, guximi dhe po ashtu bindja që duhet të qëndrojmë të fortë, e ka detyruar Serbinë që të zbraset. Pra, lufta e drejtë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, qëndresa e popullit tonë, mbështetja e partnerëve tanë ndërkombëtarë përmes ndërhyrjes, kanë bërë që Kosova edhe të çlirohet, edhe të jetë e lirë, edhe të jetë e pavarur. Ne sot i nderojmë martirët civilë të pafajshëm, por jemi edhe pranë familjeve, të cilat edhe përkundër dhimbjes, e shumë prej tyre janë të mbijetuar të kësaj masakre, ata qëndruan të fortë. Pra, kjo është dëshmia që populli ynë është i fortë pavarësisht sfidave që i kalon. Sot jemi pra edhe pranë familjeve.”, tha Haxhiu.
Ajo theksoi se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë angazhimin për drejtësi, duke vënë në pah se pa ndëshkimin e krimeve të luftës nuk mund të ketë ecje përpara.
Po ashtu, u bë thirrje që institucionet e drejtësisë të intensifikojnë hetimet dhe ndjekjen penale të kriminelëve të luftës, përkundër vështirësive në bashkëpunim me Serbinë.
Në këtë përkujtim mori pjesë edhe ministri në detyrë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare të Kosovës, Andin Hoti, i cili theksoi se krimet e kryera në Bukosh dhe në gjithë Kosovën, përbëjnë tentativë për gjenocid.
Hoti: U vranë në oborrin e shkollës
“Krimi që ka ndodh në Bukosh, po edhe krimet që kanë ndodh në vendet e tjera, më Suharekë, Rahovec, Prizren dhe kudo qofshin në Kosovë, janë thjesht krime lufte. Janë tendencë e pastër për gjenocid. Dhe këtë ka tentu Serbia të bëjë në Kosovë, ka tentu të bëjë gjenocid. Metodat që Serbia ka përdorur për të vrarë njerëzit për vetëm një arsye ose një ‘faj’ që ata kanë pasur: faji i tyre ka qenë që janë shqiptarë. Dhe këtë e tregon më së miri edhe Bukoshi, kur njerëzit janë marrë dhunshëm nga një kolonë, që po ashtu dhunshëm është krijuar për t’i larguar nga shtëpitë e tyre, dhe janë vendosur para një shkolle. Paramendojeni: para një shkolle, një objekti shkollor, një objekti arsimor, dhe janë ekzekutuar pamëshirshëm duke përfshirë edhe fëmijë, duke përfshirë edhe pleq. Unë nuk e di çfarë lloj faji mund të ketë një fëmijë pesëvjeçar për ta ekzekutuar në mënyrën qysh e ka ekzekutuar Serbia. Kështu që, neve na mbetet një—që mos t’i harrojmë kurrë, sepse kështu duke mos harruar, ne e ruajmë dinjitetin edhe të tyre edhe tonin. Por na mbetet që të bëjmë thirrje edhe drejtësisë që krimet serbe të vihen para drejtësisë, qofshin ato vendore apo ndërkombëtare.”, u shpreh Hoti.
Ai shtoi se pavarësisht arrestimeve të fundit, numri i të ndëshkuarve mbetet i vogël krahasuar me krimet e kryera, duke theksuar se drejtësia duhet të vazhdojë punën pa ndalur.
Në fund të ceremonisë, familjarët dhe të pranishmit kanë bërë homazhe pranë vendit ku ndodhi ekzekutimi, duke kujtuar 25 viktimat e pafajshme dhe duke kërkuar drejtësi të plotë për krimet e luftës.
The post 27-vjetori i Masakrës së Bukoshit, 25 viktimat u vranë në oborrin e shkollës appeared first on Euronews Albania.
