Shqipëria U-21 do të zhvillojë një tjetër test ndërkombëtar, teksa më 8 qershor 2026 do të përballet me Italinë U-21 në stadiumin “Omero Tognon” në Pordenone. Ndeshja do të nisë në orën 18:15.
Federata Shqiptare e Futbollit ka arritur marrëveshjen me Federatën Italiane të Futbollit për zhvillimin e kësaj miqësoreje, e cila është pjesë e programit përgatitor të Kombëtares U-21.
Kjo do të jetë ndeshja e dytë e grumbullimit të muajit qershor, ndërsa FSHF po punon edhe për finalizimin e një tjetër miqësoreje që pritet të luhet në javën e parë të muajit.
Këto takime shërbejnë si përgatitje për Kampionatin Europian U-21 2027, ku Shqipëria është kualifikuar automatikisht si një nga vendet organizatore.
Skuadra kuqezi vjen në këtë fazë me formë të mirë, duke regjistruar katër fitore në katër ndeshjet e fundit miqësore. Ndeshjet e qershorit do t’i shërbejnë stafit teknik të drejtuar nga Alban Bushi për të vlerësuar dhe testuar grupin në prag të përfundimit të sezonit 2025–2026.
The post Shqipëria U-21 do të përballet me Italinë U-21 appeared first on Euronews Albania.
