“Jam në Shtetet e Bashkuara”, Polonia nis hetimet se si ish-ministri Ziobro u arratis nga Hungaria në SHBA

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Prokurorët polakë po hetojnë se si ish-ministri i drejtësisë, Zbigniew Ziobro i kërkuar për akuza të shumta penale, arriti të arratiset në SHBA nga Hungaria, ku ish-kryeministri Viktor Orban i kishte dhënë azil politik.

Të shtunën, ndërsa inaugurimi i Peter Magyar si kryeministri i ri i Hungarisë shënoi fundin e 16 viteve të Orban në pushtet, dolën raportime se polaki Zbigniew Ziobro ishte larguar nga vendi i Evropës Qendrore dhe ndodhej në SHBA.

Ziobro, të cilit vitin e kaluar iu hoqën pasaportat polake dhe diplomatike, i konfirmoi raportet të dielën.

“Jam në Shtetet e Bashkuara”, tha Ziobro duke shtuar se kishte mbërritur në demokracinë më të fortë në botë një ditë më parë.

Muajin e kaluar, Hungaria tha se nuk do ta strehonte më Ziobron duke bërë që shumë njerëz të supozonin se Polonia do të ishte në gjendje ta nxirrte atë në gjyq.

Ish-ministri përballet me deri në 25 vjet burg nëse dënohet për akuzat për abuzim me pushtetin. Prokurorët e kanë akuzuar atë për krijimin dhe drejtimin e një grupi kriminal që devijoi fondet nga viktimat e dhunës për t’i përdorur për interesat e tij, duke përfshirë blerjen e programit spiun izraelit Pegasus për të monitoruar kundërshtarët politikë.

Ziobro i ka mohuar akuzat, duke i përshkruar ato si të sajuara dhe duke akuzuar qeverinë polake të qendrës, të udhëhequr nga Donald Tusk, për kryerjen e një “hakmarrjeje personale” kundër tij.

Të hënën, prokurorët polakë thanë se po hetonin se si Ziobro kishte arritur të udhëtonte për në SHBA pavarësisht se i ishin revokuar pasaportat polake dhe diplomatike. Nëse konfirmohet se Ziobro po kërkon të vendoset në SHBA, Polonia do të kërkojë ekstradimin e tij.

The post “Jam në Shtetet e Bashkuara”, Polonia nis hetimet se si ish-ministri Ziobro u arratis nga Hungaria në SHBA appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: