Dhunohet kryetari i degës së Vetëvendosjes në Skënderaj, dërgohet urgjent në spital

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Kryetari i Degës së Vetëvendosjes në Skenderaj, Hysni Mehani, ka deklaruar se është sulmuar fizikisht nga kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku.

Lajmi është bërë i ditur përmes një postimi në Facebook, të publikuar nga i afërmi i tij, Bahri Zabeli, i cili ka përcjellë mesazhin e Mehanit.

“Të dashur miq jam sulmuar nga Sami Lushtaku dhe banda e tij. Telefonin personal ma kanë marrë. Lus policinë të mbroj familjen time dhe ftoj familjarët për përmbajtje”, thuhet në reagimin e publikuar në rrjetet sociale.

Ndërkohë, mjeku kujdestar në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Skenderaj, Flamur Meziu, ka konfirmuar se Mehani ka pësuar lëndime në kokë.

Sipas tij, ekipet mjekësore kanë intervenuar pas njoftimit nga Policia.

“Policia na ka lajmëruar. Ekipa ka shkuar në vendngjarje dhe e ka dhënë ndihmën e parë. Lëndimet janë të lokalizuara në pjesën e kokës. Tjetërkund nuk ka pasur lëndime, vetëm një gërvishtje në krah, jo diçka”, deklaroi Meziu.

Ai shtoi se Mehani është transportuar për trajtim të mëtejmë në Spitalin Rajonal në Mitrovicë.

The post Dhunohet kryetari i degës së Vetëvendosjes në Skënderaj, dërgohet urgjent në spital appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: