Aksident në galeritë e Trepçës, 18 minatorë bllokohen nën tokë

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Tetëmbëdhjetë minatorë kanë mbetur të bllokuar në minierën e Stantërgut që nga ora 01:30 e mëngjesit të 14 majit, pas një ndërprerjeje të energjisë elektrike në njësinë biznesore dhe flotacionin e zonës. Ndërmarrja Trepça bëri të ditur se nga 47 punëtorë që ndodheshin në minierë në momentin e incidentit, 29 arritën të dalin në sipërfaqe, ndërsa 18 të tjerë mbetën nën tokë.

Sipas njoftimit zyrtar, shkak i ndërprerjes së rrymës dyshohet të jetë një shkëputje përcjellësi në trafostacionin e flotacionit, e cila ka dëmtuar izolatorët dhe ka shkaktuar edhe djegie në transformatorin që furnizon zonën me energji elektrike. Gjithashtu janë raportuar dëmtime edhe në stabilimentet përcjellëse, duke vështirësuar rikthimin e furnizimit me energji.

Autoritetet dhe ekipet teknike po punojnë për evakuimin e sigurt të minatorëve dhe rikthimin e sistemit elektrik, ndërsa raportohet se ata janë në gjendje të qëndrueshme dhe pritet të nxirren në sipërfaqe brenda dy orësh. Trepça thekson se situata po menaxhohet në terren, ndërsa nuk është rasti i parë i bllokimeve në minierë, pasi edhe më herët janë regjistruar incidente të ngjashme për shkak të defekteve teknike dhe problemeve me energjinë elektrike.

The post Aksident në galeritë e Trepçës, 18 minatorë bllokohen nën tokë appeared first on GIJOTINA.

Shpërndaje: