Kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, ka reaguar pas incidentit të ndodhur këtë të enjte në Skenderaj, ku pretendohet se është sulmuar fizikisht kryetari i LVV-së në Skenderaj dhe zëvendësministri në detyrë i Financave, Hysni Mehani.
Përmes një postimi në Facebook, Lushtaku pretendon se ka pasur tentativa për ta provokuar dhe sulmuar, ndërsa shton se është ofenduar me thirrjet “Sami Serbia”. Sipas tij, reagimi ka ardhur nga qytetarët që ndodheshin aty dhe që, sipas tij, “nuk i tolerojnë më” këto etiketime nga përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje.
“Pushteti i Albin Kurtit përmes mekanizmave të tij tentoi që sot të më sulmojë në Skenderaj. E kam një jetë në shërbim të vendit, kurse etiketat si ‘Sami Serbia’ qytetarët nuk i tolerojnë më, prandaj edhe reaguan”, shkroi Lushtaku.
Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur në një kafiteri në qytetin e Skenderajt.
Nga ana tjetër, Hysni Mehani, përmes një postimi të publikuar në Facebook nga bashkëpunëtori i tij Bahri Zabeli, pretendon se është sulmuar fizikisht nga Sami Lushtaku.
Lëvizja Vetëvendosje publikoi edhe fotografi të Mehanit, ku ai shihet i gjakosur në pjesën e kokës pas incidentit.
Hysni Mehani mban aktualisht postin e kryetarit të LVV-së në Skenderaj dhe të zëvendësministrit në detyrë të Financave në Kosovë.
Deri tani, Policia e Kosovës nuk ka dhënë një reagim zyrtar lidhur me rastin.
The post Sami Lushtaku reagon pas incidentit në Skenderaj: Më provokuan dhe tentuan të sulmojnë appeared first on Euronews Albania.
