Ish-ambasadori Peci: BE po ashpërson kushtet ndaj Serbisë, “durimi po mbaron”

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Politologu dhe ish-ambasador i Kosovës, Lulzim Peci, i ftuar në lidhje direkte nga Prishtina në emisionin Balkan Talks, komentoi deklaratat dhe qasjen e Komisioneres për Zgjerim të BE-së, Marta Kos, pas vendimeve për ndërprerjen e disa fondeve të rritjes për Serbinë. Ai u ndal te reagimi i presidentit serb Aleksandar Vuçiç, duke e lidhur situatën me presionin në rritje të Bashkimit Evropian ndaj Beogradit.

Sipas Pecit, BE-ja po kalon nga toleranca ndaj Serbisë në një fazë më të ashpër të kushtëzimit, ku mbështetja financiare lidhet drejtpërdrejt me harmonizimin e politikës së jashtme me Brukselin. Ai theksoi se një vend kandidat nuk mund të përfitojë nga Bashkimi Evropian nëse ndjek një linjë të kundërt me politikat e përbashkëta të BE-së, duke nënvizuar se “durimi ndaj Serbisë duket se ka humbur”.

“Ky presion ka filluar prej kohësh, por tani po merr forma më konkrete edhe përmes sanksioneve financiare. Një gjë është e qartë: një vend kandidat për Bashkimin Evropian nuk mund të përfitojë nga BE-ja nëse ndjek një politikë të jashtme që është në kundërshtim të plotë me politikën e përbashkët të Bashkimit Evropian. Deri tani kjo çështje i është toleruar Serbisë, por në situatën aktuale duket se ky durim po mbaron dhe po kërkohet një qasje më e ashpër ndaj këtij vendi, që të mos vazhdojë të marrë benefite nga BE-ja duke ndjekur njëkohësisht një kurs tjetër politik”, tha ai.

Në analizën e tij më të gjerë, Peci foli edhe për një strategji afatgjatë të Serbisë në rajon, duke përmendur Malin e Zi dhe ndikimin e mundshëm në proceset zgjedhore dhe politike, si dhe rrezikun e përdorimit të diasporës për të ndryshuar balancat politike. Ai paralajmëroi se këto zhvillime mund të ndikojnë në stabilitetin e rajonit dhe në procesin e integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor.

“Ne i kemi dëgjuar edhe deklaratat e presidentit Vuçiç, përfshirë ato në lidhje me 20-vjetorin e pavarësisë së Malit të Zi, të cilat janë deklarata të rënda dhe që shkojnë deri në mohimin e subjektivitetit të këtij shteti, një retorikë që të kujton fjalorin e Putinit ndaj Ukrainës. Edhe në raport me Malin e Zi mendoj se Serbia po luan një lojë të dyfishtë. Ajo që ka ndodhur atje nuk është rastësi, sepse besoj se Serbia, së bashku me Rusinë, po tenton të eskalojë situatën dhe të acarojë marrëdhëniet në rajon, përfshirë edhe Kosovën. Kjo vetvetiu bëhet pengesë për integrimin evropian të Malit të Zi. Nga ana tjetër, ekziston edhe një skenar më afatgjatë, që lidhet me ndryshimet e mundshme në sistemin zgjedhor në Mal të Zi, përfshirjen e diasporës në votime dhe ndikimin që kjo mund të ketë në balancat politike të vendit. Duke pasur parasysh numrin e madh të qytetarëve me origjinë nga Mali i Zi që jetojnë në Serbi, kjo mund të ndryshojë ndjeshëm rezultatin zgjedhor. Në këtë kuptim, loja është e dyfishtë: së pari, të pengohet Mali i Zi në rrugën drejt Bashkimit Evropian; dhe së dyti, nëse ai bëhet pjesë e BE-së, të ketë një qeveri me ndikim pro-serb dhe pro-rus që mund të shërbejë si një ‘kal troje’ brenda Bashkimit Evropian. Në këtë skenar, rreziku është që të krijohet një krizë e brendshme brenda BE-së dhe një destabilizim i mëtejshëm i rajonit. Madje nuk përjashtohet as mundësia që një qeveri e tillë të ndikojë edhe në çështje si njohja e Kosovës. Këto janë, deri ku shkojnë skenarët e Serbisë dhe Rusisë për të krijuar destabilitet në rajon dhe për të çrregulluar stabilitetin evropian. Megjithatë, është pozitive që për herë të parë Bashkimi Evropian po shkon drejt sanksioneve financiare ndaj Serbisë. Pas rastit të Banjskës, kjo tregon se Serbia ka kaluar një vijë të kuqe dhe reagimi i BE-së po bëhet më i qartë dhe më i fortë”, tha ai.

The post Ish-ambasadori Peci: BE po ashpërson kushtet ndaj Serbisë, “durimi po mbaron” appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: