Hapet shtëpia muze në përvjetorin e zhdukjes së profesorit Ukshin Hoti

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri Andin Hoti, me rastin e përvjetorit të 27-të të zhdukjes së profesorit Ukshin Hoti, vizitoi Shtëpinë Muze në Krushë të Madhe.

Duke kujtuar profesorin Hoti dhe veprën e tij, kryeministri në detyrë Kurti tha se ai ishte një mendje jashtëzakonisht e ndritur jo vetëm e shqiptarëve, për shkak se teoritë e tij politike kanë vlerë universale.

“Me shumë pikëllim e dhimbje kujtojmë ditën kur para saktësisht 27 viteve profesor Ukshin Hoti u lirua nga burgu i Dubravës, ku po mbahej si rob lufte, ku ishte fillimisht i burgosur politik, vetëm dhe vetëm që më pastaj  të zhdukej dhunshëm dhe sot e kësaj dite ne të mos dimë gjë për të”, theksoi ai.

Kryeministri në detyrë Kurti theksoi se veprat e Ukshin Hotit do të hyjnë në një fazë rileximi pas vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për botimin e tyre.

Deklarimi i plotë i kryeministrit në detyrë Kurti:

Ndodhemi këtu te Shtëpia Muze në Krushë të Madhe, në vendlindjen e profesor Ukshin Hotit, të bacës Ukë. Një mendje jashtëzakonisht e ndritur e shqiptarëve, dhe jo-vetëm, për shkak se teoritë politike të tij kanë vlerë universale dhe padyshim lexohen e do të studiohen edhe nga popujt e tjerë.

Janë teori të cilat i japin rol vendimtar vullnetit të popullit, janë teori të cilat tregojnë se si republika demokratike është sistemi më i mirë politik dhe gjithashtu janë teori të cilat i japin inkurajim emancipimit dhe çlirimit të popujve mbarë.

Sot, më 16 maj, ne me shumë pikëllim e dhimbje kujtojmë ditën kur para saktësisht 27 viteve profesor Ukshin Hoti u lirua nga burgu i Dubravës, ku po mbahej si rob lufte, ku ishte fillimisht i burgosur politik, vetëm dhe vetëm që më pastaj  të zhdukej dhunshëm dhe sot e kësaj dite ne të mos dimë gjë për të.

Mirëpo, profesor Ukshini na ka lënë veprën e tij, e cila duhet të rilexohet, nuk mjafton të lexohet, vetëm rileximi është lexim, ndërkaq leximi nuk është lexim, dhe ky rilexim i veprës së Ukshin Hotit padyshim që do të ketë një fazë të re me botimin e veprave të tij, për çfarë kemi marrë vendimin në Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe është duke u mbledhur materiali nga Beogradi e Zagrebi e deri te Harvardi, ku ka studiuar, punuar dhe shkruar profesor Ukshin Hoti

E, kur vimë këtu te Shtëpia Muze dhe i shohim fotografitë e tij, disa prej tyre për herë të parë, na ngjallin shumë ndjenja të përziera. Në njërën anë, përplot pikëllim sepse sa mirë ta kishim të gjallë e aktiv e aktual. Por, në anën tjetër, edhe krenarë sepse lum që e patëm dhe padyshim që na ndriçon rrugën përpara, porsi rilindësit e tjerë të kombi tonë.

Lavdi profesor Ukshin Hotit dhe të gjithë dëshmorëve e martirëve të kombit shqiptar!

The post Hapet shtëpia muze në përvjetorin e zhdukjes së profesorit Ukshin Hoti appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: