Maqedoni e Veriut, vendoset 250 Euro gjobë për prindërit e fëmijëve që dhunojnë në shkolla

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Republika e Maqedonisë së Veriut po përgatit ndryshime ligjore që parashikojnë ndëshkimin e prindërve të fëmijëve që kryejnë akte dhune në shkolla me një gjobë prej 250 euro për çdo incident. Ministrja e Arsimit, Vesna Janevska, deklaroi se kjo masë do të zbatohet jo vetëm kur fëmija kryen dhunë, por edhe kur prindi refuzon të bashkëpunojë me shkollën dhe institucionet përkatëse. Vendimi synon të rrisë përgjegjësinë e prindërve dhe të parandalohet përhapja e dhunës në institucionet arsimore.

Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, njoftoi se MPB-ja po zhvillon kontrolle të rregullta nëpër shkolla për të parandaluar bartjen e armëve të ftohta dhe sendeve të rrezikshme nga nxënësit. Ai theksoi se këto kontrolle përfshijnë regjistrimin dhe verifikimin e Agjencive të Sigurimit, si dhe mbikëqyrjen e kushteve të sigurisë brenda shkollave dhe konvikteve. Masat pritet të kombinohen me mekanizma të tjerë për parandalimin e dhunës dhe garantimin e sigurisë së nxënësve.

Nga ana tjetër, LSDM akuzon institucionet për dështim në garantimin e sigurisë në shkolla dhe propozon një paketë prej 10 masash urgjente, përfshirë protokolle sigurie, punësimin e psikologëve dhe pedagogëve, ekipe parandalimi të dhunës, bashkëpunim ndërinstitucional më të fortë, linjë anonime dhe platformë digjitale për raportimin e dhunës, si dhe formimin e një shtabi kombëtar krize për sigurinë në arsim. Ky vendim vjen pas një rasti të fundit të dhunës në shkollën fillore “25 Maj” në Hasanbeg, ku një nxënës 15-vjeçar u plagos nga një ish-nxënës i shkollës.

A do të donit që një ligj i ngjashëm, që ndëshkon prindërit me gjobë për veprimet e dhunshme të fëmijëve në shkolla, të zbatohej edhe në Shqipëri?

The post Maqedoni e Veriut, vendoset 250 Euro gjobë për prindërit e fëmijëve që dhunojnë në shkolla appeared first on GIJOTINA.

Shpërndaje: