Shërbimi Federal i Inteligjencës Zvicerane ka njoftuar se do të hapë dosjet e vulosura prej dekadash që lidhen me kriminelin famëkeq nazist të luftës, Josef Mengele, i njohur si “Engjëlli i Vdekjes” i Aushvicit, shkruan BBC.
Megjithatë, autoritetet zvicerane nuk kanë bërë ende të ditur se kur do të publikohet përmbajtja e dokumenteve, të cilat prej vitesh kanë qenë objekt debatesh dhe kërkesash nga historianët.
Mengele ishte mjek në trupat Waffen SS të Gjermanisë naziste dhe u bë një nga figurat më famëkeqe të Holokaustit për eksperimentet mizore të kryera mbi të burgosurit në kampin e përqendrimit të Aushvicit, në Poloninë e pushtuar nga nazistët. Ai përzgjidhte mijëra persona për t’u dërguar në dhomat e gazit, ndërsa kryente eksperimente çnjerëzore mbi fëmijë dhe binjakë.
Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, Mengele arriti t’i shpëtonte drejtësisë duke përdorur identitete të rreme dhe dokumente udhëtimi të siguruara nëpërmjet konsullatës zvicerane në Gjenova. Më pas ai u arratis drejt Amerikës së Jugut, ku jetoi për dekada nën identitete të ndryshme.
Historianët kanë dyshuar prej kohësh se Mengele mund të ketë kaluar apo qëndruar fshehurazi edhe në Zvicër pas luftës, pavarësisht urdhër-arrestit ndërkombëtar të lëshuar ndaj tij në vitin 1959.
Historiania zvicerane Regula Bochsler zbuloi gjatë kërkimeve të saj se në vitin 1961 shërbimet austriake të inteligjencës kishin paralajmëruar autoritetet zvicerane se Mengele mund të ndodhej në territorin zviceran duke përdorur një emër të rremë.
Sipas dokumenteve të policisë së Cyrihut, bashkëshortja e Mengeles kishte marrë me qira një apartament në qytet dhe kishte aplikuar për leje qëndrimi të përhershme. Apartamenti ndodhej pranë aeroportit ndërkombëtar të Cyrihut dhe u vu nën mbikëqyrje nga policia zvicerane.
Hetuesit kishin vërejtur se gruaja e Mengeles lëvizte shpesh me një burrë të paidentifikuar, duke ngritur dyshime nëse ai mund të ishte vetë Josef Mengele.
Megjithatë, përpjekjet për të siguruar qasje në dosjet federale zvicerane janë refuzuar vazhdimisht. Dokumentet ishin vulosur deri në vitin 2071 për arsye të “sigurisë kombëtare” dhe për mbrojtjen e familjes së zgjeruar të Mengeles.
Në vitin 2025, historiani Gérard Wettstein e çoi çështjen në gjykatë pasi iu refuzua qasja në dosje. Ai organizoi edhe një fushatë publike financimi për të mbuluar kostot ligjore, duke mbledhur mijëra franga zvicerane brenda pak ditësh.
Pas këtij presioni publik dhe ligjor, Shërbimi Federal i Inteligjencës Zvicerane ndryshoi qëndrim dhe njoftoi se apeluesve do t’u jepet qasje në dokumente, edhe pse kushtet dhe afatet e publikimit ende nuk janë përcaktuar.
Disa historianë besojnë se dosjet mund të mos përmbajnë prova direkte që tregojnë se Mengele jetoi në Zvicër, por mund të hedhin dritë mbi rolin e shërbimeve sekrete zvicerane dhe kontaktet me agjenci të huaja inteligjence gjatë periudhës së pasluftës.
Holokausti mbetet një nga krimet më të mëdha në historinë moderne, ndërsa figura e Josef Mengele vazhdon të simbolizojë brutalitetin e regjimit nazist dhe eksperimentet çnjerëzore të kryera gjatë luftës./BBC
The post Zvicra hap dosjet sekrete për Josef Mengele, “Engjëllin e Vdekjes” të Aushvicit appeared first on Euronews Albania.
