Një cisternë ruse e dyshuar për naftë është ndaluar në Atlantik në sekuestrimin e fundit që synon luftimin e “flotës në hije” të anijeve të Moskës që shkelin sanksionet ndërkombëtare.
Anija “Tagor” u ndalua të dielën në mëngjes në ujërat ndërkombëtare më shumë se 400 milje detare (740 km) në perëndim të Brittany-s me ndihmën e Mbretërisë së Bashkuar dhe partnerëve të tjerë.
Sipas autoriteteve franceze, anija ishte duke u nisur nga Murmansk në veriperëndim të Rusisë kur u sekuestrua.
Presidenti Emmanuel Macron tha se marina franceze hipi në një cisternë nafte që ishte subjekt i sanksioneve ndërkombëtare dhe lundronte nga Rusia. Ai postoi një video që ai tha se ishte e sekuestrimit, e cila tregonte komando duke zbritur nga një helikopter në një anije.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha për sekuestrimin e anijes e konsiderojnë akt të paligjshëm. Sipas tij Rusia po merr masa për të siguruar sigurinë e ngarkesës së saj.
Anija po valëviste në mënyrë të rreme një flamur kamerunian dhe po shkonte drejt Limbe, një qytet bregdetar në perëndim të vendit afrikan, tha një zëdhënës i prefekturës detare franceze për Agence France-Presse
Prefektura detare e Atlantikut tha: “Ky operacion kishte për qëllim verifikimin e kombësisë së një anijeje të dyshuar për flamur të rremë. Pasi ekipi i inspektimit hipi në anije, një shqyrtim i dokumenteve konfirmoi dyshimet në lidhje me parregullsinë e flamurit të valëvitur. Në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe me kërkesë të prokurorit publik, anija u devijua.”
Franca dhe Mbretëria e Bashkuar janë zotuar të pengojnë anijet e lidhura me “flotën në hije” të goditur nga sanksionet e Rusisë që kalojnë nëpër ujërat e tyre. Kryeministri britanik, Keir Starmer, njoftoi në mars se kishte dhënë leje për ushtrinë e Mbretërisë së Bashkuar të hipte në anijet që i përkasin flotës në hije.
Megjithatë, të dhënat e transportit detar tregojnë se dhjetëra anije të lidhura me Rusinë dhe të nënshtruara sanksioneve vazhdojnë të kalojnë ujërat e Mbretërisë së Bashkuar.
Anijet e flotës në hije shpesh i ndryshojnë flamujt që valëvisin, një praktikë e njohur si ndërrim flamujsh, ose përdorin regjistrime të pavlefshme në përpjekje për t’i shpëtuar ndjekjes. Që nga shtatori, Franca ka hipur në tre anije të tjera që besohet se i përkasin flotës në hije të Rusisë. Anijet u lejuan të lundronin pasi pronarët e tyre paguan gjoba.
Në shtator, marina franceze hipi në anijen Boracay, e cila pretendonte se lundronte me flamur në Benin. Kapiteni i saj kinez u nxor në gjyq në mungesë dhe një gjykatë franceze në mars lëshoi një urdhër arresti dhe një dënim me një vit burg kundër tij.
Në janar, forcat franceze sekuestruan një tjetër tanker të dyshuar rus, Grinch, dhe në mars, Deyna, e cila kishte lundruar nga Murmansk nën flamurin e Mozambikut, u ndalua në Marsejë.
Në prill, Franca njoftoi një plan për të dyfishuar penalitetet për anijet që nuk mbajnë flamurin e një vendi ose refuzojnë të zbatojnë rregullat.
The post Marina franceze ndaloi në Atlantik një cisternë nafte të lidhur me Rusinë, Kremlini: Akt i paligjshëm appeared first on Euronews Albania.
